Kush “do të jetë fajtor” nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja?

Kanë mbetur edhe pak ditë për të dëgjuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket dekretit të presidentes Osmani për zgjedhjet e reja, pas asaj që u quajt dështim për zgjedhjen e kreut të shtetit. Shihet se në këtë kuadër ka filluar debati se “Kush është fajtori”, nëse Kosova shkon sërishmi në zgjedhje parlamentare! Opozita thotë se fajin e mban Kurti dhe Vetëvendosje. Përfaqësuesit e mazhorancës thonë se për këtë do të duhej fajësuar opozita. Debati në fjalë dëshmon se të dy palët duan ta largojnë përgjegjësinë nga vetja.

Dashtë Gjykata Kushtetuese dhe nuk e çon Kosovën në zgjedhje të reja. Kjo do t’i jepte politikës një shans të dytë, me qëllim krijimin e një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës dhe do të shmangte një ngërç tjetër politik në vend. Derisa mazhoranca është e formatuar qartë, derisa institucionet e tjera të shtetit, përfshirë qeverinë, kanë legjitimitet të plotë, do të ishte budallallëk që të mos tentohej për përpjekje të reja për zgjedhjen e presidentit. Megjithatë duket se askush nuk është i sigurt për atë se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Nëse shtyhet koha për diskutime dhe përpjekje të reja për konsensus duhet që palët fillimisht të binin dakord për disa parime dhe rregulla për zgjedhjen e kreut të shtetit. Së pari duhet qartësuar se përparësi për këtë ka dhe do të ketë gjithmonë mazhoranca. Kosova nuk ka krizë për zgjedhjen e qeverisë, me ç’rast mund të hidhen ide për ndarjen e pushetit midis fituesit dhe opozitës. Rregulli e do që t’i jepet e drejta mazhorancës për ta patur presidentin si tagër të saj. Mirë do të ishte që mazhoranca në këmbim të votave të opozitës të propozonte edhe emra jashtë radhëve të saj, ose së paku nga aleatët në qeverisje. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, mazhoranca e ka për detyrë të propozojë një politikan të spikatur, të cilin nuk do ta konkuronte një kandidat i propozuar nga ana e ndonjë partie opozitare. Këtë ide e arsyetoj edhe me faktin se opozita vetë është e përçarë. Ajo nuk ka arritur të artikulojë një emër që fiton mbështetjen e të tria partive politike opozitare shqiptare.

Ndërkohë opozita duhet ta ketë propozimin e saj. Nëse ajo jep një emër me dinjitet dhe cilsëi e karakterstika më të forta se propozimi i mazhorancës dhe po supozojmë se mazhoranca nuk e pranon, atëherë në këtë rast do të jetë elektorati që do ta gjykojë këtë fakt. Nëse opozita nuk jep kandidat, ose jep një emër problematik, atëherë barrën do ta ketë ajo para elektoratit. Por partitë opozitare nuk kanë dhënë dhe mund të mos japin emra, duke besuar se mos zgjedhja e presidentit do të bënte përgjegjës mazhorancën. Me këtë formulë partitë opozitare bllokuan pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 zgjedhjen e kryesië dhe të qeverisë së Kosovës. Por dështuan në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Taktika, sipas së cilës mazhoranca është përgjegjëse edhe për sjelljen e deputetëve opozitarë në seancat plenare të parlamentit për zgjedhjen e presidentit, do të rezultojë fatale për partitë opozitare. Mundet që kreu i mazhorancës, Albin Kurti, të jetë i interesuar që ta çojë vendin sërishmi në zgjedhje, por sa kohë që kjo mbetet hamendësim, aq kohë ai nuk mund të fajësohet për këtë. Ndaj dhe opozita duhet të marrë përgjegjësi. Të marrë përgjegjësi me mendje të ndarë: – Ose mundëson që publiku të bëjë mazhorancën fajtore për dështimin e të vazhdojë bojkotin, ose të mundësojë zgjedhjen e presidentit të vendit me votat ose praninë e saj në seancat plenare. Rrugë të tretë nuk ka. Llogaritë nuk shkojnë në favor të zgjidhjes së krizës, sepse askush nuk pret që opozita, edhe nëse bashkohet, të dalë në vendin e parë. Në këto kushte qytetarët për ta zgjidhur krizën do të votojnë atë koalicion që është më afër kuotave që mundësojnë zgjedhjen e presidentit.

Duhet patur parasysh se zgjedhjet e reja, nëse ato vijnë, do të zhvillohen tashmë për të kapur dy të tretat e vendeve në parlament. Sepse nuk votohet më që kriza të vazhdojë edhe më tej. Kush mund ta arrijë këtë numër deputetësh. Sigurisht ata që janë më afër numrit 80. Llogaria është e thjeshtë. Votoni zgjedhjen e presidentit të vendit dhe kursejani Kosovës zgjatjen e krizës elektorale të legjitimitetit për zgjedhjen e kreut të shtetit!

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME