Më shumë se dy vite, Kosova ishte nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, por tani këto masa janë hequr.
Këtë lajm e bëri të ditur Besnik Bislimi, i cili kishte marrë një njoftim nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në dhjetor të vitit 2025.
Por, çfarë përfiton Kosova nga heqja e masave?
Analistët e konsiderojnë vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si një zhvillim me peshë politike dhe strategjike. Sipas tyre, ky hap sinjalizon rikthim të besimit të BE-së dhe hap rrugën për dialog më të intensifikuar politik, përfitime ekonomike nga fondet evropiane dhe përmirësim të imazhit diplomatik të Kosovës.
Ata janë shprehur se masat e vendosura thuajse tre vjet më parë, ishin të dëmshme, sepse vonesa uli vlerën reale të fondeve për shkak të inflacionit.
Përtej heqjes së masave, anlistët theksojnë se më e rëndësishmja është forcimi i marrëdhënieve me BE-në dhe aleatët për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
Mehmeti: Mundësi për rikthim të besimit dhe bashkëpunim më të thellë me BE-në
Fillimisht, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës si një zhvillim me rëndësi politike dhe strategjike.
Ai këtë e cilëson si një shenjë rikthimi të besimit të BE-së dhe gatishmërie për bashkëpunim më konstruktiv.
“Vendimi i Bashkimit Evropian për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pas afro tre vjetësh, është një zhvillim me peshë politike dhe strategjike. Ai sinjalizon një ndryshim të qasjes së BE-së dhe një gatishmëri për të rifilluar një bashkëpunim më konstruktiv me institucionet e Kosovës.
Së pari, në aspektin politik, ky vendim mund të interpretohet si një rikthim i besimit ose, të paktën, një përpjekje për ta rindërtuar atë. Heqja e masave i hap rrugë intensifikimit të dialogut dhe rrit mundësinë që Kosova të trajtohet me seriozitet në proceset integruese”, ka thënë ai.
Sipas tij, vendimi hap mundësi për dialog më të intensifikuar politik, përfitime ekonomike nga fondet dhe investimet evropiane, si dhe përmirësim të imazhit diplomatik të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Në planin ekonomik, përfitimet priten të jenë më të prekshme. Masat ndëshkuese kishin kufizuar financime dhe projekte të caktuara nga BE-ja. Tani, Kosova mund të rifitojë qasje më të plotë në fondet evropiane, projekte zhvillimore, investime dhe mbështetje për reforma strukturore që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në aspektin diplomatik, ky hap mund të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai i jep Kosovës një mundësi për të dëshmuar më shumë përgjegjshmëri dhe konstruktivitet, sidomos në raport me dialogun me Serbinë dhe në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare”, është shprehur ai.
Tutje, analisti e ka vlerësuar heqjen e masave si një kthese për marrëdhëniet BE–Kosovë.
“Sa i përket marrëdhënieve BE–Kosovë, heqja e masave mund të shërbejë si një pikë kthese. Nëse shoqërohet me hapa konkretë nga të dyja palët – reforma nga Kosova dhe një qasje më e qartë integruese nga BE – atëherë mund të kemi një fazë të re bashkëpunimi, më të thellë dhe më të qëndrueshme”, ka përmbyllur Mehmeti.
Heqja e masave dhe forcimi i marrëdhënieve me BE-n
Ndërkaq, politologu Albert Ramadani ka deklaruar se kjo hap rrugën për përfitime konkrete për Kosovën dhe ndikon pozitivisht në forcimin e marrëdhënieve me BE-në.
Sipas tij, heqja e masave shihet si një hap drejt normalizimit të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve.
“Pas afro tre vjetësh, Bashkimi Evropian ka hequr të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Sa i përket vendimit lidhur me heqjen e masave.
Çfarë përfitimesh konkrete pritet të ketë Kosova nga ky zhvillim dhe në ç’mënyrë mund të ndikojë kjo në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Kosova ka përfitimesh dhe mirë shumë që janë larguar tërsisht masat, heqja e këtyre masave normal që ndikon pozitivisht pikë para normalizim te marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, ka deklaruar ai.
Gjithashtu, Ramadani ka theksuar se masat e BE-së nuk duhej të ishin vendosur kurrë, pasi Kosova ka nevojë për mbështetje në të gjitha aspektet për të forcuar kapacitetet dhe ekonominë.
“Por mendimi ime masat nga BE-ja, nuk kanë pasur nevoj te ndodhin asnjiherë se ne si vend jemi nevojshme për mbështetje në gjitha aspekt për forcuar kapacitet dhe forcimin e ekonomisë duke thithur fonde zhvillimore.
Masat që janë larguar këto pa dyshim jo që kemi dobi, por marrëdhëniet afatgjate janë pyetje dhe krahas marrëdhënieve dobi sjellin edhe fondet për zhvillim ne kategori të ndryshme që si vend kemi nevoj për të forcuar çdo kapacitet që lidhet me zhvillimin ekonomik”, ka nënvizuar ai.
Tutje, politologu ka përmendur se masat e vendosura nga BE-ja tre vjet më parë ishin të dëmshme, sepse vonesa ka ulur vlerën reale të fondeve për shkak të inflacionit.
Ai ka nënvizuar se edhe pse heqja e masave është një hap pozitiv, më e rëndësishmja është forcimi i marrëdhënieve me BE-në dhe aleatët për zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
“Ajo unë që e shoh të dëmshme masat e deritanishme kur ndodhen para tre vjetësh, ka një dallim esencial se vlera e fondeve është njejt, por vonesa pas tre vjetesh që ne si Kosovë i kemi humbur jo qe kemi ngecur tri vite pas, por vlera e fondeve nuk përputhet me rritjen e inflacionit.
Jemi dëshmitarë se sa kanë levizur çmimet ku nuk përputhet më vlera e fondeve, çdo vite i humbur raport me inflacionin humb vlera e fondeve dhe lirimi masave pas tri vite nuk e ka më vleren fondi si para tri viteve.
Fundi fundit mirë që BE-ja i hoqi masat por më mira që te forcohen marrëdhëniet ne çdo fush me miqet eurpian dhe me gjithë aleatet që ngriten dhe forcuan shtetin e Kosovës”, ka përfunduar Ramadani për “Bota sot”.
