Dhjetë vende evropiane pajtohen për plane evakuimi në rast krize apo konflikti ushtarak

Dhjetë shtete të Evropës Veriore e Qendrore janë pajtuar që të përgatiten për evakuime të mundshme të civilëve matanë kufijve në rast të një krize apo konflikti ushtarak në rajon, në përpjekje për të nxjerrë mësime nga lufta në Ukrainë, tha të mërkurën Suedia.

Këto dhjetë vende do të përgatisin në mënyrë të përbashkët plane që i mbulojnë transportin, kontrollet kufitare, korridoret e udhëtimeve dhe çështje të tjera, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gjermania, Polonia, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Islanda, Estonia, Letonia dhe Lituania i kanë përforcuar planifikimet viteve të fundit për një konflikt të mundshëm të armatosur me Rusinë në të ardhmen.

“Përvoja nga Ukraina ka treguar se lëvizjet e përkohshme të popullsisë e mundësojnë mbrojtjen e vazhdueshme të vendit, ndërkohë duke i mbrojtur civilët” – tha Ministria e Mbrojtjes e Suedisë në një deklaratë, në të cilën u njoftua marrëveshja mes dhjetë vendeve evropiane.

Suedia tha se, përpos transportit dhe korridoreve të udhëtimeve, planifikimi për evakuime ndërkufitare do t’i përfshijë pranimin dhe regjistrimin e njerëzve dhe mbrojtjen e grupeve të ndjeshme.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të përmirësohet mbrojtja e popullsisë civile në rast të krizave të mëdha ose, në rastin më të keq, për luftë” – thuhet më tej në deklaratë.

Rusia ka thënë disa herë se nuk synon që të pushtojë shtete të NATO-s.

Estonia, Letonia dhe Lituania vitin e kaluar bënë një marrëveshje të ngjashme mes vete, duke hartuar plane emergjencash për t’u ballafaquar me mundësinë e ikjes së qindra mijëra njerëzve nga ndonjë sulm ushtarak rus.

Finlanda, e cila ka kufi të përbashkët prej 1.340 kilometrash me Rusinë, në vitin 2024 nënshkroi një pakt të ngjashëm me Suedinë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME