Zvicra planifikon që të ndajë edhe 31 miliardë franga shtesë për shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë duke filluar nga viti 2028 dhe do t’i rrisë taksat mbi shitjet për një dekadë për ta mbështetur mbulimin e këtyre shpenzimeve, thanë të mërkurën autoritetet qeveritare.
Duke e përmendur si arsye përkeqësimin e situatës gjeopolitike, Këshilli Federal tha se mbrojtja e Zvicrës duhet të forcohet, ku shpenzimi në ushtri tani për tani nuk është planifikuar që ta kalojë 1-përqindëshin e prodhimit vendës bruto deri më 2032, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas planit të ri, taksa mbi shitjet do të rritet për 0,8 për qind për dhjetë vjet duke filluar nga viti 2028.
“Bota është bërë më e paqëndrueshme dhe më e pasigurt dhe rendi ndërkombëtar i mbështetur në të drejtën ndërkombëtare është nën trysni” – tha Qeveria, duke theksuar se shtete të ndryshme evropiane kanë reaguar duke i forcuar kapacitetet e tyre të mbrojtjes.
Zyrtarët dhe ligjvënësit zviceranë paralajmërojnë se konfliktet, përfshirë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, dhe rivaliteti i Shteteve të Bashkuara me Kinën si dhe tensionet në Lindjen e Mesme paraqesin rrezik ndaj vendit, përmes kërcënimeve si spiunimi, sulmet kibernetike dhe madje edhe sulmet terroriste.
Qeveria tha se planifikimi i tanishëm financiar nuk i pasqyron më rritjet në koston e armëve, që janë nxitur nga inflacioni dhe kërkesa më e lartë.
Më tej, Qeveria tha se plani qeveritar duhet të miratohet në Kuvend dhe ballafaqohet me një referendum që mund të mbahet vitin e ardhshëm.
Sipas planit, prioritetet e shpenzimeve duhet të përfshijnë edhe investime në teknologji informative, siguri kibernetike dhe zbulime elektromagnetike, si dhe në polici e mbrojtje kufitare.
