6.1 C
Pristina
E hënë, 26 Janar, 2026

Partia e Merzit në Gjermani zotohet për shtypjen e stilit të punës me gjysmë orari

Krahu biznesor i Unionit Kristian-Demokratik në Gjermani do ta propozojë ndalimin e punës me gjysmë orari, duke argumentuar se ata që duan të punojnë për më pak orë gjatë ditës duhet të marrin leje të posaçme për një gjë të tillë.

Tani për tani, secili punonjës në ekonominë më të madhe evropiane e ka të drejtën themelore për të kryer punë me gjysmë orari. Shumë prej punëtorëve, sidomos gratë, shpesh kanë nevojë për një orar të tillë për arsye që lidhen me kujdesin ndaj fëmijëve ose të afërmve të moshuar, raporton gazeta “The Guardian”.

Megjithatë, grupi i fuqishëm i CDU-së që i përfaqëson ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ka thënë se, përderisa ekonomia po vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, askush nuk duhet të ketë automatikisht të drejtë ligjore që ta bëjë atë që e quan “punë me gjysmë orari e stilit të jetesës”.

“Ata që mund të punojnë më shumë, duhet të punojnë më shumë” – tha Gitta Connemann, kryetare e krahut biznesor të partisë së kancelarit Friedrich Merz.

Revista “Stern” siguroi një kopje të rrjedhur të propozimit që pritet të miratohet në konferencën e përgjithshme të CDU-së në Shtutgart muajin e ardhshëm. Në këtë pikë, propozimi do të bëhej politikë zyrtare e partisë dhe ngjan me qëndrimin e Merzit për atë që ai e sheh si “mungesë motivi” e gjermanëve.

Nën presion për të bërë ndryshime me qëllim të fuqizimit të rritjes së ngadalshme ekonomike, konservatorët u kanë thënë votuesve se mirëqenia e vendit nuk do të mund të mbahet “me javë katërditore të punës e me baraspeshë punë – jetë”. Merzi rishtazi i ka akuzuar gjermanët për mungesa në punë duke kërkuar pushim mjekësor të rremë dhe duke e kritikuar lehtësinë relative që e mundëson vërtetimin e mjekut përmes telefonit.

Mocioni kundër punës me gjysmë orari parasheh përjashtime për njerëzit që janë duke rritur fëmijë, që kujdesen për të afërmit ose që janë duke e ndjekur zhvillimin profesional përmes trajnimeve. Ata që vendosin për të punuar me gjysmë orari dhe nuk bëjnë pjesë në këto kategori nuk duhet të lejohen më që ta kenë opsionin për punë me gjysmë orari, thuhet në propozim.

Sipas Institutit për Hulumtimin e Punësimit në Gjermani (IAB), punësimi me gjysmë orari në vend shkoi në mbi 40 për qind në çerekun e tretë të vitit të kaluar, pjesërisht për shkak të shtimit të vendeve të punës në sektorë si shëndetësia, shërbimet sociale e arsimi si dhe si pasojë e rënies së punësimit në sektorin prodhues, ku puna me orar të plotë është më e zakonshme.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME