Art Hasani, djali i Nait Hasanit, dyshohet se është në mesin e të arrestuarve në aksionin e gjerë të Prokurorisë Themelore në Prizren kundër keqpërdorimit të votave.
Hasani është ndaluar të premten me urdhër të Prokurorisë, raporton Sinjali bazuar në burime brenda Prokurorisë.
Djali i ish-deputetit dyshohet se ka ushtruar funksionin e komisionerit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Mëngjesin e të premtes, Prokuroria kreu bastisje në disa lokacione në Prizren lidhur me keqpërdorimet në zgjedhje.
Rreth 100 persona dyshohet se janë arrestuar për shkak të mashtrimeve zgjedhore, i thanë burimet Paparacit.
Burimet thanë se arrestimet në shkallë të gjerë kanë nxjerrë në pah një sfidë institucionale: mungesën e hapësirave në burgje.
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) e ka njoftuar Prokurorinë e Prizrenit se aktualisht nuk ka vend të mjaftueshëm për sistemimin e rreth 100 të ndaluarve. Dy institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm për të gjetur një zgjidhje, thanë burimet.
Arrestimet në Prizren ndërlidhen me keqpërdorimin e votave të kandidatëve për deputet, në mesin e të cilëve ishte edhe Nait Hasani.
Aktualisht, me procesin e rinumërimit të votave në vazhdim, Nait Hasani rezulton të jetë kandidati i dytë me më së shumti vota të hequra në zgjedhje. Hasanit i janë hequr rreth tre mijë vota pas rinumërimit të pjesshëm në nivel vendi.
Rinumërimi ka mbaruar në 19 komuna, derisa procesi është duke vazhduar në 19 komuna të tjera. /Paparaci.com
