Rinisja e centralit bërthamor më të madh në botë u pezullua në Japoni të enjten vetëm një ditë pasi u vu në punë për herë të parë në rreth 14 vjet. Operatori deklaroi se nuk e di se kur do të zgjidhet problemi.
Centrali Kashiwazaki-Kariwa në provincën Niigata ishte mbyllur që nga katastrofa e Fukushimës në vitin 2011, por operacionet për ta rivënë në punë filluan të mërkurën pasi mori dritën jeshile përfundimtare nga rregullatori bërthamor.
Megjithatë, operatori Tokyo Electric Power Company, Tepco tha të enjten se një alarm nga sistemi i monitorimit ra gjatë procedurave të nisjes së reaktorit, duke bërë që ai të pezullonte operacionet.
“Nuk presim që kjo të zgjidhet brenda një ose dy ditësh. Për momentin nuk dihet se sa kohë do të duhet”, tha operatori.
“Tani për tani do të përqendrohemi plotësisht në përpjekjen për të identifikuar shkakun e asaj që ndodhi”, tha ai.
Kashiwazaki-Kariwa është termocentrali bërthamor më i madh në botë për nga kapaciteti potencial, megjithëse vetëm një reaktor nga shtatë të tillë u riaktivizua. Objekti u nxor jashtë funksionit në vitin 2011 kur Japonia ndërpreu energjinë bërthamore pas një tërmeti dhe cunami kolosal që shkaktuan shkrirje të tre reaktorëve në termocentralin atomik të Fukushimës.
Megjithatë, Japonia e varfër në burime tani dëshiron të ringjallë energjinë atomike për të zvogëluar varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile, për të arritur neutralitetin e karbonit deri në vitin 2050 dhe për të përmbushur nevojat në rritje të energjisë nga inteligjenca artificiale.
Kashiwazaki-Kariwa është njësia e parë e drejtuar nga Tepco që rifillon punën që nga viti 2011. Kompania operon gjithashtu centralin Fukushima Daiichi, i cili tani është duke u çaktivizuar.
Opinioni publik në Niigata është i ndarë me rreth 60% e banorëve që kundërshtojnë rinisjen, ndërsa 37% e mbështesin atë.
Më herët këtë muaj, shtatë grupe që kundërshtonin rinisjen i dorëzuan Tepco-s dhe Autoritetit Rregullator Bërthamor të Japonisë një peticion të nënshkruar nga gati 40,000 njerëz, duke thënë se centrali ndodhet në një zonë aktive sizmike dhe vuri në dukje se u godit nga një tërmet i fortë në vitin 2007.
