Kosova bën një tjetër hap të rëndësishëm drejt objektivit për të fuqizuar mbrojtjen dhe kapacitetet ushtarake. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye.
Në një shkrim në Facebook, Maqedonci theksoi se me këtë blerje, ushtria po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta.
“Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë strategjikë, duke garantuar siguri më të madhe për vendin dhe stabilitet afatgjatë në rajon”, tha Ejup Maqedonci, përcjell A2 CNN.
Prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova do të pranojë sistemet e para brenda dy viteve të ardhshme. Përveç sistemeve të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.
Vitet e fundit, Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Turqia, përfshirë raketa dhe dronë. Kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane të tipit Humvee.
Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja nisi më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.
