Kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, por me intervale të herëpashershme me diell.
Në orët e mëngjesit parashihen mjegulla, të cilat do të zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, veçanërisht në zonat e ulëta dhe pranë sipërfaqeve ujore.
Reshje nuk parashihen, ndërsa për shkak të temperaturave të ulëta, në orët e para të mëngjesit mund të shfaqet brymë, e në disa zona edhe krahnezë. Në viset malore pritet më shumë rrezatim diellor, si pasojë e dukurisë së inverzionit të temperaturës.
“Sa i përket sektorit të bujqësisë, kushtet agrometeorologjike vlerësohen si relativisht të favorshme për zhvillimin e aktiviteteve bujqësore. Kjo vlen sidomos për fermerët që, për shkak të reshjeve të shumta gjatë muajve tetor dhe nëntor, nuk kanë arritur të kryejnë me kohë mbjelljen e grurit”, njofton IHMK.
Gjatë mbjelljes së vonshme të grurit, ekspertët rekomandojnë respektimin e disa masave agroteknike, si: rritja e normës së mbjelljes përmes shtimit të sasisë së farës, përdorimi i farës cilësore dhe të certifikuar, si dhe përshtatja e thellësisë së mbjelljes në varësi të kushteve të tokës. Zbatimi i këtyre masave pritet të ndikojë pozitivisht në mbirjen e bimëve dhe në sigurimin e një rendimenti më të qëndrueshëm.
Ndërkaq sot moti do të jetë i vranët me intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga -4 deri në -2°C, kurse ato maksimale nga 5 deri në 8°C
Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi, me shpejtësi 1–4 m/s.
