Dokumentet e Harvardit tregojnë se SHBA hartuan gjatë luftës një listë për mbrojtjen e trashëgimisë shqiptare

Një hartë e rrallë e Luftës së Dytë Botërore, e ruajtur në arkivin e Universitetit të Harvardit, hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të historisë shqiptare: përpjekjen amerikane për të mbrojtur pasuritë kulturore të Shqipërisë nga shkatërrimet e luftës.

Dokumenti është pjesë e “Komisionit Robert”, një grup i posaçëm i krijuar me studiues të trashëgimisë kulturore dhe të arteve nga disa universitete amerikane. Në kulmin e konfliktit botëror, ky komision punoi për të hartuar lista të detajuara të monumenteve, zonave arkeologjike dhe objekteve me rëndësi të veçantë në Europë, në mënyrë që ushtria dhe aviacioni amerikan t’i shmangnin gjatë bombardimeve ose operacioneve tokësore.

Në mesin e këtyre materialeve voluminoze gjendet edhe dosja e Shqipërisë, ku ekspertët amerikanë kanë përpiluar një listë të plotë të zonave që duhej të ruheshin me përparësi. Në faqen e parë të dokumentit nënvizohet qartë vlera e jashtëzakonshme e trashëgimisë ilire, e ndjekur nga periudhat greke, romake e bizantine — një renditje që dëshmon interesin e SHBA për shtresat më të hershme të historisë sonë.

Ironia bëhet edhe më e fortë sot: në kohën kur studiues amerikanë punonin në kushte lufte për të mbrojtur vlerat kulturore shqiptare, dekadat pas viteve ’90 shumë prej këtyre pasurive u lanë në harresë, u dëmtuan ose u shkatërruan nga vetë neglizhenca njerëzore, më shumë se sa nga çdo rrezik i imagjinueshëm luftarak.

Studiuesit që punuan në Harvard për të hartuar dokumentin ndoshta nuk do ta kishin menduar kurrë se projekti i tyre për të shpëtuar trashëgiminë shqiptare do të shpërfiltej pikërisht nga njerëzit për të cilët ishte hartuar. Një paradoks historik që e bën edhe më domethënëse ekzistencën e kësaj dosjeje të rrallë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME