Adoleshenca zgjat deri në të 30-at, studimi i ri identifikon katër mosha kyçe të zhvillimit të trurit

Një studim i Universitetit të Kembrixhit ka zbuluar se truri i njeriut kalon nëpër pesë faza të dallueshme gjatë jetës, me pika kyçe kthese në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç, duke treguar se adoleshenca zgjat deri në fillim të të 30-ave.

Analiza bazohet në rreth 4,000 skanime të trurit nga pjesëmarrës deri në moshën 90 vjeç.

Studiuesit zbuluan se truri ruan karakteristikat e adoleshencës shumë më gjatë se sa mendohej më parë.

Ndryshimi madhor ndodh në moshën 9 vjeç, kur truri hyn në një fazë të rritjes së madhe të efikasitetit të lidhjeve neuronale, e cila zgjat deri rreth moshës 32 vjeç.

Sipas Dr. Alexa Mousley, kjo fazë shënon periudhën e vetme kur rrjeti i neuroneve bëhet më efikas, duke arritur “kulmin” e funksioneve të trurit.

-Fëmijëria (0–9 vjeç): Truri rritet shpejt dhe heq lidhjet e tepërta (sinapset), duke funksionuar ende në mënyrë të paqëndrueshme.

-Adoleshenca (9–32 vjeç): Periudha e efikasitetit intensiv të lidhjeve. Po ashtu, rritet rreziku për çrregullime të shëndetit mendor.

-Mosha e rritur (32–66 vjeç): Periudhë stabiliteti, ku ndryshimet janë të ngadalta dhe efikasiteti fillon gradualisht të bjerë.

-Plakja e hershme (66–83 vjeç): Truri ndahet në nën-rjete më të pavarura; shfaqen faktorë risku si demenca dhe hipertensioni.

-Plakja e vonë (83+ vjeç): Modeli i plakjes intensifikohet, megjithëse të dhënat janë më të kufizuara për këtë grupmoshë.

Studiuesit thonë se kuptimi i këtyre fazave shpjegon pse rreziku për çrregullime të shëndetit mendor, probleme neurologjike dhe rënie kognitive ndryshon në periudha të caktuara të jetës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME