Marina Mbretërore Britanike ka ndërhyrë për të ndaluar dy anije ruse që lundronin brenda ujërave territoriale të vendit.
Ministria britanike e Mbrojtjes njoftoi sot se, gjatë një “operacioni 24-orësh monitorimi”, anija britanike HMS Severn ka ndaluar anijen luftarake ruse RFN Stoikiy dhe cisternën Yelnya pranë brigjeve të Mbretërisë së Bashkuar gjatë dy javëve të fundit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, anijet ruse kaluan nëpër Ngushticën e Doverit dhe më pas u drejtuan në perëndim përmes kanalit La Manche. Monitorimi i tyre iu “dorëzua” Marinës franceze pranë brigjeve të Bretanjës, pasi ato dolën nga zona britanike.
Ky incident vjen pas shfaqjes pranë ujërave britanike të anijes ruse të spiunazhit Yantar, e cila ishte vënë re ditët e fundit në kufijtë e ujërave territoriale të Mbretërisë së Bashkuar.
