Kurti në Tiranë: Është hera e fundit që adresoj masat ndëshkuese të BE-së, të hiqen plotësisht

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë në Samitin e Planit të Rritjes së BE-së, se ‘është hera e fundit që do të adresojë masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës’.

“Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell”, ka deklaruar Kurti, fjalën e plotë të cilën e ka publikuar vetë në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ja një pjesë e fjalimit të Kurtit, ku ai ka folur për heqjen e masave ndëshkuese dhe se qysh ‘kjo është hera e fundit që flet për këtë temë’.

Prej takimit tonë të fundit në Maqedoninë e Veriut këtë vit, u mbajt Samiti i Procesit të Berlinit në Londër, ku dhamë mbështetjen për të arriturat e reja dhe miratuam Agjendën e Gjelbër të rishikuar për Ballkanin Perëndimor.

Muajin e kaluar organizata World Justice Project publikoi indeksin mbi sundimin e ligjit, e cila e renditi Kosovën të tretën mes 15 shteteve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, dhe të dytën mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor sa i përket përmirësimit në sundim të ligjit.

Renditemi si vendi më i sigurtë në rajon, me kriminalitetin më të ulët dhe progresin më të madh në luftimin e korrupsionit. E kemi shënuar rritjen ekonomike më të fuqishme dhe pas takimit tonë në korrik në Maqedoni të Veriut, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e hoqën Kosovën nga lista e shteteve fragjile dhe të ndikuara nga konfliktet.

Ky progres i verifikuar ndërkombëtarisht dhe i bazuar në dëshmi është në kontrast të plotë me politikën e BE-së për masa ndëshkuese dhe mungesën e progresit në dhënien e statusit të merituar të vendit kandidat për Kosovën. Masat e BE-së të ndërmarra ndaj Republikës sonë demokratike në Ballkanin Perëndimor i bëjnë dëm linjëzimit tonë të plotë me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së.

Kjo është hera e fundit që do të adresoj masat ndëshkuese të BE-së. Ato duhet të hiqen plotësisht dhe tërësisht, ashtu siç kërkoi vitin e kaluar ish-Përfaqësuesi i Lartë dhe ish-Zëvendëspresidenti i BE-së, Josep Borrell.

Gjithashtu, asnjë vend në rajonin tonë nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e kërkimit të statusit të vendit kandidat sesa Kosova sot. Të flitet për urgjencën e zgjerimit (të BE-së) në njërën anë, ndërkohë që lihet aplikimi i Kosovës të mbledhë pluhur për tre vjet në një raft të BE-së, është, së paku, një paradoks.

Unë besoj se është e rëndësishme të flasim hapur ndërsa jemi mbledhur për të vlerësuar progresin e Planit të Rritjes. Ne ishim të parët që përmbushëm Agjendën e Reformave dhe disi, tani jemi prapa në zbatimin e saj. Dhe unë e kam mirëpritur kritikën. Ne duhet të jemi në ballë të këtyre reformave.

Por ne jemi prapa jo nga zgjedhja, por nga rrethanat. Vonesat në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti shkaktuan pengesa, megjithatë ky ishte një ushtrim i demokracisë, ku deputetët shprehën vullnetin e tyre të lirë, ku procedurat u respektuan dhe mosmarrëveshjet u zgjidhën në gjykatë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME