Ish-asistenti i Danica Marinkoviqit, Besim Kelmendi intervistohet sot nga Prokuroria Speciale për masakrën e Reçakut

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka një ftesë për paraqitje në orën 13:00 në Prokurorinë Speciale të Kosovës të mërkurën.

I emëruari para tri vitesh si ushtrues detyre i Kryeprokurorit, është ftuar të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit për masakrën e Reçakut, një lëndë për krime lufte të cilën e ka nën hetim Prokuroria Speciale.

Rastin e ka nën trajtim prokurori special i Departamentit për Krime Lufte, Ilir Morina.

Siç mëson Paparaci nga burime të mirëinformuara, Besim Kelmendi është ftuar për t’u marrë në pyetje si person me njohuri për masakrën e Reçakut, të ndodhur më 15 janar të vitit 1999. Asokohe, Kelmendi punonte në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Paparaci ka raportuar para disa vitesh për lidhjen e Kelmendit me Danica Marinkoviqin, gjyqtaren famëkeqe serbe të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë gjatë viteve ‘90.

Marinkoviq ishte caktuar gjyqtare hetuese për masakrën e Reçakut. Ajo e kishte mohuar krimin e forcave shtetërore dhe policore serbe. Pak para bombardimeve më 1999, rasti që ndodhej nën trajtimin e saj, ishte transferuar në Gjykatën e Beogradit. Bashkë me të, ishin transferuar edhe provat e lëndës.

E kaluara e prokurorit Kelmendi si i punësuar në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë para luftës në Kosovë, është vërtetuar nga u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit edhe në CV-në e tij zyrtare.

Në CV-në e Kelmendit thuhet se deri në përfundimin e luftës në Kosovë më 1999, ka qenë bashkëpunëtor profesional në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Për dallim nga Kelmendi, shumica absolute e shqiptarëve, gjatë viteve 90′, si pasojë e shtypjes nga regjimi i Millosheviqit ishin zhvendosur në një sistem paralel shtetëror të organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe qeveria e saj në ekzil.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME