Parlamenti izraelit ka miratuar në lexim të parë një projektligj shumë të debatueshëm, i cili do të mundësonte dënimin me vdekje për militantët palestinezë të dënuar për vrasjen e qytetarëve izraelitë. Votimi u zhvillua mbrëmjen e së hënës, më 10 nëntor, dhe përfundoi me 39 vota pro dhe 16 kundër, në një parlament prej 120 deputetësh. Ky ishte hapi i parë nga katër që nevojiten për ta kthyer projektligjin në ligj përfundimtar.
Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një nga promotorët kryesorë të kësaj nisme, u bëri thirrje të gjitha forcave politike të mbështesin projektligjin, duke e cilësuar atë si një instrument të domosdoshëm për “krijimin e një efekti parandalues ndaj terrorizmit arab”. Pas përfundimit të votimit, ai deklaroi se “kjo është mënyra se si luftojmë terrorin” dhe se pas miratimit final, “terroristët do të çlirohen vetëm drejt ferrit”. Ben-Gvir madje shpërndau edhe ëmbëlsira në sallën e Parlamentit për të shënuar votimin e parë të suksesshëm.
Projektligji do t’i kalojë tani një komisioni parlamentar për diskutime të mëtejshme, përpara se të votohet për herë të dytë dhe të tretë. Miratimi i tij nuk është i sigurt, pasi disa parti kyçe bojkotuan votimin fillestar, duke shprehur kundërshtime për përmbajtjen dhe implikimet e nismës.
Izraeli e ka hequr dënimin me vdekje për rastet e vrasjes që në vitin 1954. Personi i vetëm i ekzekutuar ndonjëherë pas një gjyqi civil në Izrael mbetet Adolf Eichmann, një nga arkitektët e Holokaustit nazist, i dënuar dhe i ekzekutuar në vitin 1962. Miratimi i mundshëm i këtij projektligji do të përbënte një ndryshim të madh në juridiksionin izraelit dhe pritet të nxisë debate të ashpra brenda dhe jashtë vendit.
