Kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka bërë homazhe tek varri i aktivistit të VV-së, Astrit Dehari.
Kurti ka thënë se lidhur me hetimet për vdekjen e Deharit s’ka pasur ndonjë avancim cilësor në hetime, derisa ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet të punojë shumë më tepër për ta zbardhur këtë rast.
“S’ka avancim cilësor. Si Qeveri jemi në gjendje gatishmërie, të vullnetshëm dhe të interesuar që ta ndihmojmë Prokurorinë. Mirëpo 9 vjet janë shumë, edhe 9 muaj janë shumë pa u sjell drejtësia”, ka thënë Kurti.
“Sistemi i drejtësisë të bëjë shumë më tepër, sepse kjo padrejtësi, ky krim është një plagë e hapur, jo vetëm për familjen Dehari dhe LVV por për mbarë popullin e Kosovës”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se Qeveria dhe LVV s’mund ta bëjnë punën e Drejtësisë, meqë janë shtylla të ndara të pushtetit.
“Është prokuroria që duhet të bëjë shumë më tepër që të sillet drejtësia. Si Qeveri dhe LVV na kanë në dispozicion, por ne punën e Prokurorisë edhe të sistemit të Drejtësisë s’mund ta bëjmë. Janë shtylla të ndara të pushtetit”, është shprehur Kurti.
“Ka shumë mundësi që për këtë rast të hetohet edhe procesi i hetimit. Sepse kur diçka nis mbrapsht, bëhet dyfish më e vështirë që të kthehet mbarë”, ka thënë ndër të tjera.
“Si kryeministër unë, aktivistët tanë, ministrat tanë, deputetët tanë, s’mund të bëhen prokuror e gjykatës”, ka thënë Kurti.
