“Mur dronësh”, arma e Evropës kundër agjentëve rusë

Kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi disa ditë më parë një “plan të ri gjithëpërfshirës veprimi” për t’iu kundërvënë kërcënimeve hibride, i cili do të rishikohet nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Por, përpara se të vendoset mbrojtja, është thelbësore të përcaktohet se cilat veprime llogariten si luftë hibride.

Agjentët e nivelit të ulët janë një pjesë kyçe e luftës hibride, një përzierje taktikash ushtarake, politike, ekonomike dhe kibernetike të hartuara për të zbehur vijën ndarëse midis luftës dhe paqes, shkruan Euronews.

Analisti austriak i dezinformimit, Dietmar Pichler, shpjegoi se incidente të tilla si zjarre, shpërthime, aksidente, sulme, ngjarje pro-ruse ose grafiti publike duhet të vlerësohen gjithnjë e më shumë për lidhje me operacione hibride.

Ai paralajmëroi se vonesat mund ta bëjnë reagimin më të vështirë.

“Nëse autoritetet nuk komunikojnë qartë, për shembull, duke shpjeguar se masat janë mbrojtëse, jo ofenduese, kjo mund të shkaktojë probleme të mëdha në luftën e informacionit”, tha Pichler për Euronews.

Rritja e fundit e fluturimeve të dronëve mbi hapsirën ajrore të disa vendeve, e nxjerr në pah këtë sfidë. Pasi pamjet e para u raportuan në media, ndërkohë aktiviteti i dronëve u rrit ndjeshëm.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, e përshkroi situatën si një “kërcënim të shtuar për sigurinë” dhe njoftoi planet për të ngritur një qendër të re mbrojtëse nga dronët.

Sipas raportimeve, aleatët e NATO-s kanë bërë disa diskutime ndaj veprimeve gjithnjë e më provokuese të Presidentit rus Vladimir Putin, raportoi Financial Times.

Masat që po shqyrtohen përfshijnë forcimin e mbrojtjes nga dronët, siç është një “mur dronësh” përgjatë krahut lindor të NATO-s – dhe zbutjen e rregullave të angazhimit për t’u lejuar pilotëve të qëllojnë mbi avionët rusë. Deri më tani, nuk është rënë dakord për asnjë orar apo plan zyrtar.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, po bëjnë thirrje për kujdes për të shmangur një përshkallëzim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë.

“Nuk ka vetëm paqe dhe luftë; ka diçka midis tyre”, tha eksperti i terrorizmit, Dr. Peter Neumann, në Dialogun e Paqes në Berlin të këtij viti në Ministrinë Gjermane të Mbrojtjes.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME