Alarm për “superkullën” gjigante luksoze në Nju-Jork, çarjet dhe defektet mund ta bëjnë të pabanueshme

Me përmasat e saj të pazakonta që ngrihen për 102 kate mbi rrugët më luksoze të Nju-Jorkut, 432 Park Avenue ka qenë për vite me radhë një simbol i pasurisë ekstreme dhe arkitekturës moderne. Por tani, ekspertët e sigurisë së ndërtesave po paralajmërojnë se kjo “superkullë” mund të jetë një minë me sahat.

Sipas një raportimi të “The New York Times”, ndërtesa e hapur vetëm në vitin 2015 është e mbushur me çarje dhe dëmtime strukturore për shkak të vendimit të zhvilluesve për të përdorur një fasadë betoni të bardhë, estetikisht tërheqëse, por teknikisht të brishtë.

Jennifer Lopez dhe ish-partneri i saj Alex Rodriguez blenë një apartament aty për 15.3 milionë dollarë në vitin 2018, por e shitën vetëm një vit më vonë për 17.5 milionë, duke e konsideruar të “vogël” për familjen e tyre. Sot, me problemet që janë shfaqur, yjet e famshëm mund të ndihen me fat që u larguan në kohë, përcjell A2 CNN.


Sipas raportit, kulla mund të ketë nevojë për deri në 160 milionë dollarë për riparime të fasadës, ndërsa disa ekspertë madje sugjerojnë se mund të mbetet e pabanuar nëse ndërhyrjet nuk bëhen urgjentisht.

Anthony Ingraffea, profesor emeritus i inxhinierisë në Universitetin Cornell dhe specialist në çarje betoni, deklaroi se ndërtesa po “mbingarkohet nga era dhe shiu”. “Unë nuk do të firmosja kurrë një dokument që garanton se kjo ndërtesë do të zgjasë përgjithmonë”, tha ai. “Empire State Building po, por kjo jo”.

Ndërsa inxhinieri Steve Bongiorno, që ka punuar në një version të mëparshëm të projektit, paralajmëroi se ndërtesa po përballet me presion më të madh se sa ishte parashikuar. Nëse nuk merren masa, tha ai, copëza betoni mund të bien, dritaret të lirohen, ashensorët dhe sistemet mekanike të dështojnë, tubat të çahet dhe ndërtesa të bëhet e pabanuar.

Për ata që ende jetojnë aty, jeta në “kullën e miliarderëve” është shumë larg përsosmërisë.

Investitori nga Hong Kongu, Ching Wong, i cili bleu një apartament 15 milionë dollarësh në vitin 2019, ankohet për dyer që nuk mbyllen, kondicionerë të prishur dhe një pishinë 23 metra e gjatë që shpesh nuk funksionon.

Për më tepër, tarifat mujore të ndërtesës janë trefishuar që nga viti 2019.

Një tjetër banore, Jacqueline Finkelstein-LeBow, thotë se për shkak të rrjedhjeve të ujit në banesë iu dëmtua qilimi me vlerë 135 000 dollarë. Megjithatë, ajo mohon se ndërtesa është e pasigurt. “Ka probleme që duhen rregulluar, por ndërtesa është e sigurt. Po jetoj në katin e 64-t, dhe nëse do të ishte e rrezikshme, nuk do të isha këtu”, tha ajo.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se inxhinierët e projektit kishin paralajmëruar për defekte që para se të niste ndërtimi. Njëri prej tyre, Silvian Marcus nga kompania WSP, kishte rekomanduar shtimin e një përbërësi për ta bërë betonin më të fortë, por zhvilluesit e refuzuan pasi ai do ta errësonte ngjyrën e bardhë të fasadës.

Marcus paralajmëroi se pa këtë shtesë, “do të kemi probleme shumë të dhimbshme për t’u zgjidhur në të ardhmen”. Përgjigjja e zhvilluesve? Ata zgjodhën pamjen, jo qëndrueshmërinë.

Një tjetër inxhinier, David Dods, në një email të vitit 2015, e përshkroi situatën si “të dënueshme dhe turpëruese për këdo që kujdeset për cilësinë”.

Sipas ekspertit Jose Torero nga University College London, 432 Park Avenue është “një eksperiment i dështuar për të arritur lartësi ekstreme”. “Një ndërtesë 10-vjeçare nuk duhet të tregojë këtë nivel degradimi. Askush nuk mund të pretendojë se kjo nuk është një dështim”, tha ai.

Ndërkohë, kompania zhvilluese CIM Group e mohon gjithçka, duke e quajtur raportimin “të pavërtetë dhe shpifje”. Por me një treg të ftohur për pasuritë superluksoze dhe kosto riparimi që askush nuk do t’i marrë përsipër, banorët më të pasur të Nju Jorkut mund të përballen me një faturë gjigante, ose me një ndërtesë të pabanueshme.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME