Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në prag të balotazhit të 9 nëntorit. Megjithatë, ky vendim është kundërshtuar menjëherë nga qendra e LDK-së në Prishtinë, e cila e ka cilësuar veprimin si të paautorizuar dhe në kundërshtim me procedurat statutare të partisë.
Sipas marrëveshjes, Tahiri dhe kandidati i LVV-së, Sylejman Meholli, janë dakorduar që “të bashkojnë forcat për ndryshim të qeverisjes në Vushtrri”. Në ceremoninë e nënshkrimit, ku mori pjesë edhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, Tahiri u shpreh se marrëveshja është “për qytetin dhe qytetarët e Vushtrrisë”, duke kujtuar mbështetjen që Vetëvendosja i kishte dhënë LDK-së në vitin 2017.
Nga ana tjetër, LDK-ja në nivel qendror ka theksuar se nuk e ka autorizuar këtë bashkëpunim dhe se veprimet e Tahirit do të trajtohen sipas Statutit të partisë pas përfundimit të garës zgjedhore.
“Veprimet e kandidatit tonë në Vushtrri për të lidhur koalicion me një parti tjetër janë individuale, të papranueshme dhe në kundërshtim me procedurat statutare”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ndërkohë, Meholli e ka cilësuar marrëveshjen si “koalicion të fitores”, duke theksuar se Vushtrria “ka nevojë për ndryshim të kursit qeverisës dhe kthimin e qeverisjes qytetare”. Edhe dega e LDK-së në Vushtrri e ka mbështetur publikisht marrëveshjen, duke deklaruar se “interesi i qytetarëve është mbi gjithçka”.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi, doli i pari me shumicë relative, i pasuar nga Meholli i LVV-së me 30.77 për qind dhe Tahiri i LDK-së me 19.81 për qind të votave. Në balotazhin e 9 nëntorit do të përballen Meholli dhe Idrizi, ndërsa koalicioni LDK–VV pritet të ndikojë ndjeshëm në rezultatin përfundimtar.