Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të enjten kërcënoi me veprime kundër Hamasit për shkak të ekzekutimeve publike që janë kryer nga grupi pas tërheqjes së forcave izraelite nga disa pjesë të Rripit të Gazës si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Uashingtoni.
“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që s’ishte marrëveshje, ne nuk do të kemi zgjedhje tjetër pos të hyjmë e t’i vrasim ata [pjesëtarët e Hamasit]” – paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”.
Ky shkrim dukej sikur paraqiti ndryshim të qëndrimit fillestar të presidentit amerikan dy ditë më parë rreth ekzekutimeve jashtëgjyqësore nga Hamasi të palestinezëve nga grupet rivale dhe atyre që i ka akuzuar për bashkëpunim me Izraelin, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Postimi gjithashtu erdhi pasi një grup militant i përkrahur nga Izraeli në jug të Gazës i bëri apel komunitetit ndërkombëtar përmes një videoje, duke kërkuar nga Trumpi që t’i mbronte banorët e Rripit të Gazës nga Hamasi.
Të martën, presidenti amerikan tha se i kishte dhënë Hamasit “miratim për një periudhë kohore” që t’i kryente vrasjet, duke pretenduar se grupi ishte duke vënë në shënjestër “disa banda shumë të këqija”, transmeton gazeta “Nacionale”.
Të mërkurën, megjitahtë, komandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme i bëri thirrje Hamasit që menjëherë t’i ndërpresë sulmet ndaj “civilëve të pafajshëm palestinezë” dhe të fillojë “të çarmatoset pa vonesë”.
Disa orë më vonë, Trumpi i tha televizionit CNN se ishte duke bërë “më shumë hulumtim për këtë… Mund të jenë banda ‘plus’” – tha ai.