Geoffrey Hinton, një nga themeluesit e inteligjencës artificiale dhe fitues i Çmimit Nobel, ka dhënë një këshillë të pazakontë për të rinjtë: të mos ndjekin vetëm karriera teknologjike, por të orientohen drejt profesioneve praktike. “Nëse po mendon çfarë të studiosh, bëhu hidraulik”, ka deklaruar ai, duke theksuar se profesionet manuale janë shumë më të vështira për t’u zëvendësuar nga makinat.
Sipas Hintonit, që është profesor në Universitetin e Torontos, inteligjenca artificiale po përparon me një shpejtësi të frikshme, duke rrezikuar miliona vende pune që lidhen me sektorin informatik.
Ndërsa kompanitë e mëdha si OpenAI dhe Google po zhvillojnë modele gjithnjë e më të avancuara, ekspertët paralajmërojnë se ndikimi i tyre në tregun e punës mund të jetë i paparashikueshëm, shkruan A2 CNN.
“Po krijojmë sisteme që mund të bëhen më inteligjente se ne dhe që nuk domosdoshmërisht ndajnë vlerat tona”, ka paralajmëruar Hinton në një intervistë për BBC Neës.
Megjithatë, ai shpreson se bashkëpunimi mes shkencëtarëve kryesorë të botës mund të ndihmojë në kontrollimin e kësaj teknologjie. Për Hintonin, balanca mes inovacionit dhe etikës është thelbësore: nëse nuk vendosen kufij të qartë, inteligjenca artificiale mund të ndryshojë mënyrën si punon dhe jeton njerëzimi.