Një shtrëngim duarsh mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit francez Emmanuel Macron në samitin e paqes për Gazën në Sharm El-Sheikh, Egjipt, është kthyer në një moment të pazakontë diplomatik, pasi burime për Daily Mail zbulojnë një bisedë të tensionuar mes dy liderëve.
Ngjarja ndodhi të hënën, gjatë nënshkrimit të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, ku Trump dhe Macron patën një shtrëngim duarsh të pazakontë.
Trump e tërhoqi Macron drejt vetes, por takimi u kthye në një përballje verbale përpara dhjetëra kamerave, shkruan A2 CNN.
Sipas lexueses së buzëve Nicola Hickling, shkruan Daily Mail, Trump e nisi bisedën me fjalët: “Kënaqësi të të shoh, pra u pajtove?”, ndërsa Macron u kthye nga kamera, duke dhënë një përgjigje të paqartë. Trump vazhdoi me pyetjen: “A je i sinqertë?”, dhe Macron u përgjigj shkurt: “Sigurisht.”
Në atë moment, Trump shtrëngoi më fort dorën e presidentit francez dhe tha: “Tani dua të di pse më lëndove. E di tashmë.” Më pas, ai shtoi: “Unë lëndoj vetëm ata që lëndojnë të tjerët.”
Macron u përpoq ta zbusë situatën duke thënë: “Ah, hajde tani”, por Trump iu përgjigj me një paralajmërim të ftohtë: “Do ta shohësh çfarë do të ndodhë.”
Edhe pse nuk dihet konkretisht se për çfarë mund të jetë bërë biseda, kjo përballje vjen rreth dy javë pasi Macron u bë pjesë e një shakaje të nisur nga kryeministri Edi Rama me Presidentin francez dhe atë të Azerbajxhanit ndaj Donald Trump për lapsusin e përsëritur nga ai, se ka ndalur luftën mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.