Rezultatet e testit PISA, vjen reagimi i Rrahman Jasharajt – Ja çka thotë

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022.

Kosova ka zënë vendin e 78-të nga 80 shtete pjesëmarrëse, pra ka rënie nga viti 2018 për 11 pikë.

Vendi ka zënë pozitën e 76-të për lexim, 77-të për shkencë si dhe pozitën e 74-të për matematikë.

Për këtë rezultat që është arritur në testin PISA ka folur kryetari i Sindikatës së bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj.

Sipas tij, kjo është shqetësuese, por se gishti nuk duhet të drejtohet vetëm tek njëra palë, pra tek mësimdhënësit.

“Rezultatet që u publikuan në media sot janë shqetësuese dhe askush nuk mund të ndihet mirë veçmas ne që jemi të ndërlidhur drejtpërdrejtë me sistemin arsimor, por uroj që të mos ndodhë si herëve të kaluara që një javë rresht të drejtohet gishti vetëm në një anë, uroj të mos ketë deklaratë të ashpra ndaj njërës palë, në këtë rast vetëm ndaj mësimdhënësve”, është shprehur Jasharaj për Front Online.

Jasharaj, ka kërkuar që të gjitha palët që janë të përfshira në arsim duhet të ulen të diskutojnë dhe të gjejnë problemin se çfarë po ndodhë.

E, jo për një javë rresht të fyhet, të shahet e të drejtohet gishti vetëm nga mësimdhënësit.

“Uroj që MAShT-i të organizojë konferenca me të gjitha palët, me akademinë e shkencave, me ekspertët e arsimit, me SBASHK-un, me prindërit, pra me të gjithë që të ulemi dhe të shohim ku janë problemet në arsimin tonë që po dalim kaq keq ne testin PISA i cili është vetëm njëri nga instrumentet matëse. Mbase nxënësit nuk po gjinden si duhet në këtë test, mbase kurrikula nuk korrespondon me kërkesat e testit PISA. Pra, duhet të ulemi e jo një javë të fyhemi e të shahemi e të bëjmë me gisht vetëm nga mësuesi e nga shkolla por të ulemi bashkë dhe të shohim cilat janë defektet”, ka shtuar ndër të tjera i pari i SBAShK-ut.

Sipas tij, nëse fyerjet dhe sharjet vazhdojnë sikurse herën e kaluar, atëherë rezultatet do të jenë përsëri të njëjta.

Jasharaj e ripërsërit edhe njëherë se me shkumës e shpuza, pa llaptop e projektor në shkolla vështirë se mund të ketë rezultate.

“Me shkumës dhe shpuza dhe me rastin siç ndodhi sivjet me shpërndarjen e librave, pa llaptop e projektor vështirë se mund të arrijmë rezultate që do të dëshironim ti kemi ngase nxënësit e Kosovës jashtë po dëshmohen tepër inteligjent, por këtu mund të jetë fajtor, kurrikula, tekstet shkollore, mund të jenë kushtet që i kanë. Nuk po dua t’i mbroj mësimdhënësit, pro duke u ulur bashkë me ta, duke u ulur me të gjitha palët besoj se mund të arrijmë një gjendje krejt tjetër edhe në testin Pisa por edhe në përpjekje tjera të vazhdueshme për rritje të cilësisë”, ka thënë ai.

Rezultatet e testit “PISA 2022” janë publikuar të martën, ndërsa u prezantuan nga Ministria e Arsimit në një konferencë për media.

Ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, tha se rezultatet kanë qenë të pritshme.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por, ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

PISA është studim ndërkombëtar i arsimit që vlerëson kompetencat e nxënësve 15-vjeçar në lexim, matematikë dhe shkencë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here