​Kina po teston dronë me teknologji të lartë që mund të krijojnë shi kudo që të duan

Kina ka nisur një epokë të re në luftën kundër thatësirës. Për herë të parë, vendi po përdor dronë të fuqishëm, të tipit TB-A, për të “mbjellë retë” dhe për të bërë shi në rajonin e shkretë të Xinjiangut.

Në një provë 45-ditore në zonën malore të Hami-t, Kina përdori këta dronë – të njohur zakonisht për përdorime ushtarake – për një qëllim tjetër: ndryshimin e motit. Dronët fluturojnë në re dhe shpërndajnë grimca të vogla të quajtura jodid argjendi (një lloj kimikati).

Këto grimca veprojnë si “fara” mikroskopike, duke bërë që avulli i ujit brenda resë të ngjitet rreth tyre. Kjo nxit kondensimin (mblledhjen e ujit) dhe, në fund, formimin e pikave të shiut. Ky është hapi i madh teknologjik, pasi më parë Kina përdorte avionë me pilotë ose raketa të lëshuara nga toka.

Tani, dronët ofrojnë saktësi më të lartë, shmangin rrezikun për pilotët dhe kanë kosto më të ulët. Droni TB-A mund të mbajë deri në 24 shufra jodidi argjendi dhe qindra pajisje shpërndarëse. Të dhënat fillestare nga Hami janë mbresëlënëse.

Eksperimenti sugjeron se përdorimi i dronëve mund të rrisë reshjet me rreth 4 për qind brenda një dite, duke mbuluar një zonë prej 8,000 kilometrash katrorë. Më e rëndësishmja, vetëm 1 kilogram jodid argjendi ka potencialin të gjenerojë rreth 70 mijë metra kub ujë – kjo është sasia që mbajnë afërsisht 30 pishina olimpike.

Ky projekt është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Kinës për të adresuar mungesat e ujit që kanë goditur bujqësinë dhe mjedisin në rajonet e saj veriperëndimore. Ekspertët kinezë mendojnë se kjo metodë e re mund të bëhet standarde për menaxhimin e motit në zonat malore. Megjithatë, ata theksojnë se duhen më shumë prova për të kuptuar efektin afatgjatë të këtyre ndërhyrjeve në klimë dhe mjedis.

Pavarësisht kësaj, eksperimenti i Hami-t shihet si një hap konkret drejt përdorimit të teknologjisë ajrore për menaxhimin e burimeve ujore, duke adresuar kështu krizën e thatësirës që po prek një pjesë të madhe të botës./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME