Përmbysja e regjimit kriminal të Slobodan Millosheviçit/ 25 vjet pas 5 tetorit historik: Serbia e Vuçiçit, më larg demokracisë se kurrë

Sot bëhen plot 25 vjet nga dita historike e 5 tetorit 2000, kur qindra mijëra qytetarë serbë përmbysën regjimin kriminal të Slobodan Millosheviçit, duke i dhënë fund një epoke të mashtrimeve zgjedhore, dhunës dhe shtypjes. Por një çerek shekulli më pas, Serbia ndodhet sërish përballë një pushteti autoritar që ka mbytur shpresat për ndryshim. Aleksandar Vuçiç dhe Partia Progresive Serbe kanë instaluar një sistem që ngjan gjithnjë e më shumë me një karikaturë të demokracisë.

Në vend të një opozite të fortë dhe të bashkuar si në vitin 2000, sot Serbia përballet me një opozitë të përçarë, studentë të izoluar dhe një shoqëri civile të nënshtruar. Aktivistë të dikurshëm të lëvizjes “Otpor” thonë se regjimi i tanishëm është edhe më i rrezikshëm, sepse nuk lë as hapësirën minimale për ndryshim institucional. Protestuesit e rinj përballen jo vetëm me represionin e policisë, por edhe me manipulimet e ndyra të pushtetit, që mbush sheshet me mbështetës të paguar e të maskuar si studentë.

Në vend të tymit të zi që shënoi rënien e Millosheviqit, sot mbi Beograd rëndon një re e rëndë mashtrimesh, frike dhe propagande. Vetë Vuçiç, duke pranuar se ka mësuar nga rënia e Millosheviqit, pohon hapur se do të bëjë gjithçka për të shmangur një tjetër 5 tetor. Dhe këtë e bën duke shtyrë pafund zgjedhjet, duke blerë kohë dhe duke mbytur çdo frymë referendumi popullor.

Opozita demokratike e dikurshme ishte e aftë të mobilizonte popullin përballë një diktatori të plakur. Opozita e sotme, e fragmentuar dhe e paaftë për të bashkuar energjinë qytetare, duket e pafuqishme përballë makinerisë propagandistike të Vuçiçit.

Mesazhi i studentëve të sotëm është i qartë: “Nuk duam të përsërisim gabimet e së kaluarës. Duam një Serbi ku qeveritë bien me zgjedhje, jo me kryengritje.” Por përballë një regjimi që nuk lë as hapësirën minimale për konkurrencë, Serbia e sotme është më afër rikthimit të errësirës së viteve ’90 sesa ëndrrës së demokracisë së vitit 2000.

Një çerek shekulli pas përmbysjes së Millosheviqit, Serbia nuk ka asgjë për të festuar. Përkundrazi, pushteti i Vuçiçit e ka kthyer vendin në një shtet të kapur, të frikësuar dhe të paralizuar – një vend ku 5 tetori mbetet vetëm një kujtim i largët i një lirie të parealizuar.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME