Pse kjo vajzë 2-vjeçare është shpallur ‘Perëndesha e gjallë’ e re dhe adhurohet nga miliona besimtarë

Një vajzë vetëm dy vjeç e tetë muajsh, e quajtur Aryatara Shakya, është zgjedhur zyrtarisht si “Kumari” i ri i Nepalit, një perëndeshë e gjallë që adhurohet nga miliona hinduistë dhe budistë, transmeton Korrespodenti.

Ceremonia e shenjtë u mbajt të martën, më 30 shtator, në Katmandu, gjatë festivalit më të rëndësishëm në vend, Dashain. Zgjedhja e saj erdhi pasi plotësoi një sërë kërkesash tepër specifike dhe rigoroze, duke trashëguar kështu një rol hyjnor që ka rrënjë të thella në historinë dhe kulturën e Nepalit.

Procesioni i emërimit të saj ishte një ngjarje madhështore, e pasqyruar edhe nga medait ndërkombëtare të lajmeve si CNN. Aryatara u mbajt në krahë nga shtëpia e familjes së saj dhe u përcoll përmes rrugëve të mbushura me njerëz të Katmandusë drejt tempullit të pallatit, ku do të banojë tashmë. Besimtarët ishin rreshtuar përgjatë gjithë rrugës për të kryer gjestin më të lartë të respektit: prekjen e ballit në këmbët e saj. Ata e mbuluan me lule dhe para, duke nderuar hyjninë që ajo tani përfaqëson. E instaluar në pallatin e Kumarit, detyra e saj kryesore do të jetë të bekojë besimtarët, dinjitarët e lartë, madje edhe presidentin e Nepalit.

Gjatë festave të veçanta, ajo do të shfaqet në publik e veshur me të kuqe, me flokët e lidhur në një topuz të lartë dhe me një “sy të tretë” të pikturuar në ballë. Në këto raste, ajo do të lëvizë nëpër qytet mbi një karrocë të artë, e tërhequr nga ndjekësit e saj besnikë. Megjithatë, pas kësaj fasade hyjnore fshihet një fëmijëri tejet e pazakontë. Jeta si Kumari është kryesisht një jetë izolimi.

Aryatara Shakya, vetëm dy vjeç, e mbajtur nga nëna e saj drejt rezidencës së Kumarit, është shpallur perëndesha më e re e gjallë në Nepal.

Për Aryatarën e vogël, ditët do të kalojnë larg botës së jashtme. Ajo do të jetojë pothuajse tërësisht e mbyllur në tempull dhe do të lejohet të dalë vetëm në ditë të rralla festash. Kjo jetë e veçuar shpesh e bën të vështirë përshtatjen me një jetë normale për ish-Kumarit, pasi ato e humbasin statusin hyjnor me ardhjen e pubertetit. Për më tepër, një legjendë vendase paralajmëron burrat që të mos martohen me një ish-perëndeshë, pasi besohet se një martesë e tillë mund të sjellë një vdekje të parakohshme për bashkëshortin.

Procesi i përzgjedhjes së Kumarit është po aq i jashtëzakonshëm sa edhe vetë roli. Sipas traditës nepaleze, kandidatja duhet të vijë nga klani Shakya i komunitetit Newar dhe duhet të jetë një vajzë e re që besohet se mishëron energjinë femërore të perëndeshës Taleju. Kërkimi përfshin një shqyrtim të detajuar të vajzave të moshës nga dy deri në katër vjeç. Ajo duhet të jetë fizikisht e përsosur, pa asnjë shenjë apo njollë në trup, me flokë, sy, dhëmbë dhe lëkurë pa asnjë të metë.

Përveç përsosmërisë fizike, kandidatja duhet të tregojë edhe guxim të palëkundur, përfshirë këtu aftësinë për të mos pasur frikë nga errësira. Aryatara Shakya thuhet se i kaloi me sukses të gjitha këto teste, duke u bërë kështu pasardhësja më e re në një linjë shekullore perëndeshash të gjalla.

Babai i saj, Ananta Shakya, në një prononcim të cituar nga Unilad, u shpreh i emocionuar: “Dje ajo ishte thjesht vajza ime, por sot ajo është një perëndeshë.” Ai shtoi se shenjat për fatin e saj të veçantë ishin shfaqur që përpara lindjes. “Gruaja ime, gjatë shtatzënisë, pa në ëndërr se ajo ishte një perëndeshë, dhe ne e dinim se do të ishte dikush shumë i veçantë,” tregoi ai.

Aryatara Shakya, së bashku me babanë dhe nënën e saj, në shtëpi, pak para se të adhurohej zyrtarisht në Kumari Ghar, tempullin historik në Kathmandu të Nepalit.

Vitet e fundit, kjo traditë e lashtë ka filluar të modernizohet disi. Tashmë, Kumarit marrin mësime private brenda tempullit, kanë akses në televizor dhe madje përfitojnë një pension nga qeveria pasi koha e tyre si perëndeshë përfundon. Kjo përpjekje synon të zbusë kalimin nga një jetë hyjnore në një ekzistencë të zakonshme, duke i ofruar këtyre vajzave një mbështetje më të madhe për të ardhmen. /Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME