Esati, i biri i Ali be Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1860. Vëllai i tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Vëllai i tij i madh, ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre, ishte viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht. Kur u rrit, Gani beu sillej në Tiranë si një cub i vërtetë, duke ngjallur terror ndërmjet miqve dhe armiqve të tij.
Pastaj mori urdhër të shkonte në Dibër, por sipas udhëzimeve të dhëna nga tirani, u ndalua jashtë qytetit të Durrësit, u dërgua në pronat e Esatit dhe atje e vranë duke i rënë me hunj, pasi e kishin futur në një thes! Nuk duam të diskutojmë këtu për çështjen e ndihmës që Esat Pasha u kishte dhënë serbëve gjatë tërheqjes së tyre dhe nëse kjo ndihmë është vepër ekskluzive që i interesonte tiranit, ose më tepër një aksion pa interes i vetë shqiptarëve.
Esati në kujtimet e tij, të cilat gazeta “Koha” i botoi dy ditë pas vdekjes së tij, kërkon ta ketë vetë gjithë meritën dhe për këtë ai nuk ngurroi aspak, të blasfemojë kombin e tij. Ky ishte karakteri i vërtetë i Esatit, për të cilin asgjë nuk ekzistonte dhe nuk duhet të ekzistonte jashtë personit të tij.
Është fakt se fati i Esatit ishte lidhur me atë të serbëve, aleatë dhe bamirës të tij dhe si i tillë, ai u detyrua të largohet nga Shqipëria e, të kërkojë strehim në Selanik, ku vazhdoi ta mbante veten si shef ose kryetar i Qeverisë Shqiptare, titull që e kishte marrë gjatë diktaturës të shkurtër dhe të përkohshme që ai ushtronte në Durrës.
Në Selanik, Esati u trajtua mirë nga grekët dhe francezët, por sidomos u mbrojt nga serbët, që i dhanë një pension mujor prej 200000 frangash për shpenzimet e të ashtuquajturës qeveri të tij, mbasi ai kishte rreth tij disa njerëz që merrnin tituj ministrash si dhe “taborin” i tij të famshëm.
Nuk ka asnjë arsye të flitet keq për shqiptarët që përbënin taborin e tij dhe që në fund të fundit, ishin njerëz të guximshëm, të sinqertë dhe të ndershëm, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për shefin e tyre, i cili mendonte vetëm për veten e tij, ndërsa ushtarët e tij mendonin më shumë për atdheun e tyre.
Këta njerëz nuk vepronin aspak nga vlerësimi dhe konsiderata që kishin për Toptanin. Në të kundërtën, prania e Esatit në Selanik me të drejtë mund të konsiderohet si një incident fatkeq dhe nuk u krijonte aspak besim shqiptarëve. Dëshmitarë janë shqiptarët e Korçës, të cilët kanë bashkëpunuar me besnikëri me trupat franceze, por që kanë kërkuar me këmbëngulje që Esati të mos shkelte më në Shqipëri.
Kështu, edhe banorët e Gjirokastrës kanë luftuar krahas trupave italiane, për t‘i shërbyer në këtë mënyrë çështjes së Aleatëve dhe asaj të pavarësisë së atdheut të tyre. Gjatë qëndrimit të tij në Selanik, qëndrim shumë skandaloz, shtëpia e tij, sikurse thuhej, ishte një vatër e vërtetë ç’rregulli, një shtëpi loje dhe korrupsioni.
Të rinj të Selanikut, me qëllim që t‘i shpëtonin shërbimit ushtarak, merrnin nga pashai certifikata të kombësisë shqiptare dhe ushqime… etj., që intendenca ia dorëzonte Pashait për trupat e taborit të tij, të cilët i dërgonin te të preferuarit dhe të preferuarat, ose te shitësit me pakicë. Për më tepër, ndodhi një skandal, ai i pagimit të taborit, i cili nga pashai kërkohej në flori, por që ushtarëve iu dorëzua në kartëmonedha.
Zoti Fontenej dhe zoti Krajevski, që Republika kishte caktuar pranë Esatit, duhet të dinë diçka lidhur me këtë temë. Kanë dashur ta trajtojnë Esatin si aleat besnik të Francës, nuk kihej parasysh se heroi ynë nuk e ka pranuar kurrë bindjen. Ai ishte një egoist, qe zotëronte në një shkallë të lartë “egoizmin e mallkuar”.
Para së gjithash, sidomos kur bëhet fjalë për personin e tij, ajo që injorohet është fakti se kur përfundimi i betejës së madhe iu duk i dyshimtë, ai u përpoq të afrohej me perandoritë qendrore dhe filloi të hynte në lidhje me legatën osmane në Bernë. Kjo nuk është asgjë e jashtëzakonshme për një njeri të kallëpit të tij, për faktin se pasi tradhtoi Abdyl Hamitin, xhonturqit dhe shqiptarët, ai tradhtoi më në fund italianët dhe bëhet armiku i tyre për të kaluar në kamp-in e serbëve.
Por shansi filloi të lodhet. Ishte fillimisht Anglia, që duke iu përgjigjur një thirrjeje të Dhomës së Komunave, deklaroi se nuk njihte asnjë funksion zyrtar të Esatit (1918); pastaj, rreth fundit të vitit. Franca ndërpreu çdo lidhje me të dhe u thirr Krajevski.
Në fillim të vitit 1919 Esati erdhi në Paris; ai nuk kishte asnjë funksion zyrtar, mbasi ndërkohë një qeveri ishte formuar në Shqipëri dhe një delegacion ishte dërguar në Paris, gjë që nuk e pengonte Pashanë tonë, t‘i jepte vetes tituj si kryetar i qeverisë shqiptare dhe kryetar i delegacionit. Jeta e tij në Paris, mund të njihej lehtë: E dashura e tij i kushtonte më se 2 000.000 franga me qejfe, automobil etj., pa llogaritur shpërdorimet e ujit nëpër qytete.
Po përse e përdor ai këtë kohë dhe titullin e kryetarit të Qeverisë shqiptare e të delegacionit shqiptar, që ia cakton vetes? A e ngriti ai ndonjëherë zërin kur vendi i tij kërcënohej të përçahej? Jo. Ai argëtohet, intrigon kundër vendit të tij, duke menduar vetëm për veten.
Fillimisht në muajin maj katër shqiptarë: Imizot Koleci, Peshkop katolik, Bajram Veizi, Fuat bej Toptani dhe Ymer bej Shijaku, shkuan në Paris për të biseduar me Esatin dhe u përpoqën të depërtonin edhe një herë në mendimet e tij. Dy shqiptarët e fundit, nga katër që ishin, qëndruan në hotelin “Kontinental”, ku qëndronte vetë Esati dhe që të katërt patën shumë takime me këtë të fundit, i cili vazhdimisht u deklaronte se:
1- Serbia i jepte një pension mujor, për shkak të simpatisë që kjo qeveri kishte për të, por se këto shuma nuk ishin aspak një borxh i Shqipërisë.
2- Nuk kishte asnjë konventë ndërmjet vetë Esatit dhe Malit të Zi.
3- Në të kundërtën, ai u kishte premtuar serbëve një korrigjim të kufirit në favor të tyre dhe të bashkimit doganor e ushtarak. Esati u bë kaq naiv, sa e dorëzoi vetë tekstin e marrëveshjes së tij me Jugosllavinë, ashtu sikurse është paraqitur nga një memorandum i kësaj Mbretërie, në Konferencën e Paqes.
Hasan Rizai në fakt ishte vrarë nga Osman Bali, por ai pretendonte se kjo nuk ishte bërë aspak me urdhër të tij. Nga ana tjetër, kur ai nuk dinte ku ishte dhe xhindosej, betohej të hakmerrej me të gjithë armiqtë e tij politikë, nëse do të arrinte ndonjëherë të shkelte në Shqipëri.
Por ai e dinte mirë se nuk mund të shkonte në Shqipëri, sepse do të ndalohej, do të gjykohej dhe do të varej. Italia u akuzua pa të drejtë, se e kishte bërë të pamundur kthimin e tij në Shqipëri. Gjë që njihet pak është fakti se Esati kishte pasur gjatë katër muajve të fundit takime të fshehta me agjentët italianë, Kostoldi, Gali dhe Lodi, dhe se ai ishte gati të ndërronte kamp.
Ta linte Serbinë për Italinë dhe në këtë nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, aq më tepër mbasi urrejtja për qeverinë shqiptare të Tiranës, urrejtje që italianët dhe Esati e kishin në të njëjtën masë, e bënin bashkëpunimin e tyre krejt të natyrshëm.
P.S. – Disa hollësi për karakterin e tij:
Esati dhe Ganiu ishin martuar me dy motra të familjes Toptani, kushërira të tyre: Esati u martua përsëri me një turke, pasi kishte harxhuar pasurinë e gruas së tij të parë dhe duke mos u shqetësuar aspak për të dy vajzat e tij. Një ditë, ai takoi përpara shtëpisë së tij në Tiranë një vajzë të sjellshme, të cilën e pyeti se e kujt ishte. “Jam vajza jote”, – iu përgjigj fëmija i pafajshëm. Me dokumente false, ai siguroi pronësinë mbi pasuritë e kushëririt të tij, Selim Pasha.
Në Janinë, ai syrgjynoste njerëz të rëndësishëm, për t‘i detyruar të paguanin haraç. Kështu u internuan Mustafa Pasha, Omer Efendi dhe shumë të tjerë. Pasi urdhëroi vrasjen e Hasan Riza Beut në Shkodër, ai i dërgoi fjalë Alush Lohjës, se ishte gati t‘i paguante nga xhepi 300 lira turke, kujdo që do ta denonconte vrasësin.
Për vrasjen tragjike të Nexhat Efendiut, ai nxori një qarkore ku thuhej se Nexhati ishte arratisur me një shumë të madhe që ai e kërkonte dhe i premtoi një shpërblim atij që do ta zbulonte.
Biografi e Mit’hat Frashërit:
Lindi në Janinë në 25 mars të vitit 1880 dhe vdiq në 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore.
Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX-të. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX-të. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën / Shtëpinë Botuese “Mbrothësia”.
Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin “Kongresi i Alfabetit”, me 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mit‘hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta).
Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali, ai zgjidhet ministër i Botores. Me 30 mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit‘hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918, jeton në disa shtete të Ballkanit.
Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht, ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron; “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.
Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA-ës. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri, ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1927, fillon të botojë në Tiranë, revistën “Dituria” dhe themelon librarinë “Lumo Skëndo”.
Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin “Partia e Ballit Kombëtar”. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA-ës, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak./ Memorie.al