Abortet mbeten një fenomen shqetësues në Shqipëri, pavarësisht një rënieje të lehtë në shifra absolute. Sipas të dhënave të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), kjo ulje lidhet më shumë me rënien e numrit të lindjeve sesa me një përmirësim real të situatës.
Gjatë vitit 2024 janë regjistruar 180 aborte për çdo 1.000 lindje në vend. Pjesa më e madhe e aborteve janë regjistruar tek gratë në grupmoshën 20–34 vjeç, që përbën edhe periudhën më aktive të riprodhimit.
Sipas INSTAT, 84% e aborteve janë spontane, ndërsa 16% janë të provokuara me qëllim ndërprerjeje të shtatzënisë, shpesh për arsye shëndetësore.
Ndërkohë, një tjetër aspekt shqetësues është rritja e numrit të aborteve në grupmoshën 15–19 vjeç. Në vitin 2024, 18-vjeçaret shënuan nivelin më të lartë, me 179 aborte për 1.000 lindje, një rritje krahasuar me vitin 2022.
Të dhënat gjithashtu tregojnë një lidhje të fortë mes nivelit arsimor dhe aborteve – gratë me arsim më të ulët kanë përqindje më të lartë aborteve të kryera. Nga ana tjetër, 72% e aborteve realizohen nga gra të martuara, sipas statusit martesor.
Në një kontekst më të gjerë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thekson se 6 në 10 shtatzëni të padëshiruara përfundojnë me abort të induktuar, ndërsa rreth 45% e aborteve konsiderohen të pasigurta, duke shtuar më tej shqetësimet për shëndetin riprodhues.