Sulmi në Banjskë, Musliu: Serbia synonte aneksimin e veriut – reagimi ndërkombëtar ishte i vakët

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka kujtuar dy vjetorin e sulmit në Banjskë ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Musliu ka thënë se sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist dhe paramilitar të organizuar nga Serbia kundër Kosovës, që konsiderohet edhe agresioni më i madh shtetëror i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës që nga përfundimi i luftës.

“Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook.

Ai ka theksuar se objektivi final i këtij sulmi ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de facto të asaj pjese të territorit.

“Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët. Edhe pas ekspozimit ndërkombëtar të Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit, ai vazhdon të gëzojë mbrojtje të plotë nga shteti serb dhe personalisht nga presidenti Vuçiq. Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore”, u shpreh Musliu.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME