Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar me tone të ashpra ndaj kundërshtimeve të Rusisë për mundësinë e vendosjes së trupave të huaja në Ukrainë, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme sigurie pas përfundimit të luftës.
Gjatë një konference për shtyp, Rutte u pyet në lidhje me refuzimin e Kremlinit për praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë, një nga kërkesat e përsëritura të Moskës që nga fillimi i konfliktit.
Përgjigjja e kreut të NATO-s ishte e prerë: “Pse duhet të na interesojë se çfarë mendon Rusia për trupat në Ukrainë? Ukraina është një vend sovran. Nuk është në dorën e tyre të vendosin.”
Rutte theksoi se Rusia nuk ka të drejtë të diktojë vendimet sovrane të Ukrainës, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje sigurie që lidhen me një paqe të qëndrueshme.
“Nëse Ukraina dëshiron të ketë forca garantuese sigurie në territorin e saj për të mbështetur një marrëveshje paqeje, kjo është çështje e tyre. Askush tjetër nuk mund të vendosë për këtë,” shtoi ai.
Ai komentoi gjithashtu mbi perceptimin e ndikimit të presidentit rus, Vladimir Putin, duke e quajtur të ekzagjeruar: “Duhet të ndalojmë së bëri Putinin më të fuqishëm seç është. Ai është thjesht guvernatori i Teksasit, asgjë më shumë. Ndaj, nuk duhet ta marrim aq seriozisht,” deklaroi Rutte.
Këto komente vijnë ndërsa diskutimet për garancitë e sigurisë për Ukrainën po intensifikohen në samitet ndërkombëtare dhe vendet perëndimore shqyrtojnë mënyrat për të garantuar një paqe të qëndrueshme pas përfundimit të konfliktit.