Gjatë punimeve të projektit kërkimor-shkencor “Kërkime Arkeologjike në Luginën e Bulqizës”, të udhëhequr nga Instituti i Arkeologjisë është bërë një zbulim për arkeologjinë shqiptare.
Në fshatin Strikçan u gjet varri i parë monumental i periudhës romake, me përmasa mbresëlënëse dhe elementë të rrallë arkitektonikë dhe epigrafikë.
Monumenti, me dimensione rreth 9 metra në gjatësi dhe 6 metra në gjerësi, përfshin një dhomë funerare me lartësi 2.40 metra dhe është i konceptuar me tre ambiente, dhomë varrimi, paradhomë dhe shkallë monumentale. Në varr u gjet një mbishkrim bilingual romak, kushtuar individit të varrosur, Gellianos, dhe perëndisë Jupiter mbishkrimi i parë i këtij lloji në zonën e Dibrës.
Gjithashtu, varri ka ruajtur pjesë të inventarit arkeologjik, përfshirë enë qelqi, objekte prej kocke, armë dhe fragmente tekstili të thurura me fije ari, që dëshmojnë statusin e lartë të të ndjerit. Strukturat e sipërme të monumentit sugjerojnë tipologjinë e një mausoleumi, duke e bërë këtë zbulim një pikë referimi të rëndësishme për studimin e periudhës romake në Shqipëri.
Për shkak të rëndësisë së këtij siti, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Tiranë dhe Institutin e Arkeologjisë, kanë nisur procedurat për mbrojtjen paraprake të këtij monumenti.
Ky zbulim shënon forcimin e historisë antike në rajonin e Dibrës dhe më gjerë.