Lëvizja Vetëvendosje së shpejti pritet ta mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Aty pritet që edhe zyrtarisht të votohet emri i Albin Kurtit si mandatar për ta dërguar për mandatar te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kështu ka deklaruar ditën e djeshme nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
“Nuk mund që Kuvendi të mbetet peng i Listës Serbe, apo ndonjë subjekti që refuzon të marrë përgjegjësi. Është vërtetë për të ardhur keq që nga 52 deputetë të opozitës, as edhe 4 -5 vota për të përkrahur Nenad Rashiqin. Nënkryetarët e Kuvendit nuk ishin të pranishëm ta ushtrojnë detyrën e tyre. Nuk do të lejojmë që pakicat të bllokojnë funksionimin e institucioneve. Presim hapat e radhës drejt themelimit të qeverisë”, tha fillimisht ajo.
Haxhiu bëri të ditur se këtë mbledhje do ta mbajnë pa vonesa, pasi do të tentojnë formimin e qeverisë.
“Kosova ka nevojë për institucione funksionale, përfaqësim të denjë, koha e lojërave e pazareve ka përfunduar. Ne kemi thënë në seancën e fundit që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë këtë, na duhet mbledhje të Këshillit të përgjithshëm që e votojmë mandatarin, e pastaj Arbërie Nagavci ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani. E mandej presim që presidentja të veprojë në emër të funksionimit demokratik. Unë jam e bindur që ata do të mbajmë shpejt, për shkak të rrethanave”, tha Haxhiu.
E këtu topin në dorë e ka presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kjo e fundit në takim dje me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, theksoi se zyra e saj ligjore po e analizon procesin e ‘konstituimit të Kuvendit’. Pra, nuk e quajti Kuvend të pakonsittuuar, por la të kuptohet se legjislativi është konstituuar.
“Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e Kuvendit, z. Dimal Basha Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha. Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, Presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Presidentja ka potencuar se, sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thuhej në reagim.
Në momentin që presidentja e mandaton Albin Kurtin për ta krijuar qeverinë, ai ka dy javë për të siguruar votat.
Nëse jo, atëherë mandatari mund t’i kalojë të dytit, si rezultat zgjedhjet e reja janë opsion.
Por, kjo mund të përcaktohet pas një aktgjykimi tjetër të Gjykatës Kushtetuese.