Dhëmbë të fosilizuar, të zbuluar gjatë një projekti arkeologjik shumëvjeçar në verilindje të Etiopisë, tregojnë se dy lloje të ndryshme homininësh – paraardhës të hershëm të njeriut – kanë jetuar së bashku në të njëjtën zonë rreth 2.6 deri në 2.8 milionë vjet më parë. Njëri prej tyre mund të ketë qenë një specie e panjohur deri më sot, raporton CNN, përcjell Inteligjenca n’3D.
Ky zbulim ofron një këndvështrim të ri mbi kompleksitetin e evolucionit njerëzor. Dhjetë nga dhëmbët, të gjetur mes viteve 2018–2020, i përkasin gjinisë Australopithecus, një të afërmi të lashtë të njeriut. Ndërkohë, tre dhëmbë të tjerë, të gjetur në vitin 2015, i përkasin gjinisë Homo (paraardhësit e parë të njeriut modern). Rezultatet u publikuan të mërkurën në revistën Nature.
Të dhënat sfidojnë idenë se gjinia Homo u shfaq vetëm pasi Australopithecus ishte zhdukur. Përkundrazi, dy speciet duket se kanë bashkëjetuar. Australopithecus ecte drejt si njerëzit modernë, por kishte tru të vogël, me madhësi më afër majmunëve. Gjinia Homo, përkundrazi, shfaqej me tru më të madh, çka shpesh shihet si një hap evolucionar drejt njeriut të sotëm.
“Ky studim i ri tregon se imazhi klasik i evolucionit nga majmuni te neandertali e deri te njeriu modern është i pasaktë – evolucioni nuk funksionon në këtë mënyrë,” tha bashkautorja e studimit Kaye Reed, profesoreshë në Universitetin Shtetëror të Arizonës. “Këtu kemi dy specie homininësh që jetojnë bashkë. Evolucioni njerëzor nuk është linear, por një pemë me shumë degë, ku disa specie zhduken.”
Reed është bashkëdrejtuese e projektit kërkimor Ledi-Geraru në Etiopi që nga viti 2002. Në vitin 2015, ky ekip njoftoi për zbulimin e nofullës më të vjetër të njohur të gjinisë Homo (rreth 2.8 milionë vjeçare). Ndërkohë, ata kanë kërkuar edhe prova për Australopithecus afarensis, specie e përfaqësuar më së miri nga fosili i famshëm “Lucy”, i zbuluar në vitin 1974. Lucy, vetëm 1 metër e gjatë, kishte fytyrë të ngjashme me majmunët dhe tru sa një e treta e njeriut, por ecte në këmbë si njerëzit.
Dhëmbët e rinj të gjetur në vitet 2018 dhe 2020 nuk përputhen plotësisht me afarensis apo homininin tjetër të njohur, garhi. Kjo i ka çuar shkencëtarët të besojnë se kemi të bëjmë me një specie të panjohur të Australopithecus, e cila ka jetuar pas Lucy-t dhe krah për krah me një specie të hershme të gjinisë Homo.
“Fillimisht mendova se do të gjenim vetëm gjurmë të gjinisë Homo, dhe më pas një ditë gjatë kërkimeve u zbuluan edhe dhëmbët e Australopithecus,” tha Reed. “Ajo që ka më shumë rëndësi është se evolucioni njerëzor nuk ka qenë kurrë linear. Disa specie u zhdukën, disa ishin më të përshtatura, disa të tjera u përzien me ne – këtë e dimë për Neandertalët. Çdo pjesë e re e pazëllit mbi prejardhjen tonë është thelbësore.”
Dhëmbët u zbuluan në rajonin Afar të Etiopisë, një zonë e njohur për zbulime të shumta mbi origjinën njerëzore. Kjo zonë është një mjedis aktiv tektonik, ku pllakat e Tokës po ndahen dhe ekspozojnë shtresa të vjetra sedimenti, duke nxjerrë në dritë miliona vite evolucion.
Dhëmbët e Australopithecus janë datuar rreth 2.63 milionë vjet, ndërsa ata të gjinisë Homo mes 2.59 dhe 2.78 milionë vjet. Megjithatë, ekipi mbetet i kujdesshëm dhe nuk jep emërtim përfundimtar pa të dhëna shtesë.
“Ne dimë si duket nofulla e hershme e gjinisë Homo (paraardhësit e parë të njeriut modern), por vetëm kaq. Çdo fosil i ri është vendimtar për të kuptuar ndryshimet mes Australopithecus dhe gjinisë Homo,” tha Brian Villmoare, autori kryesor i studimit nga Universiteti i Nevadës.
Dhëmbët e Australopithecus ngjanin me ata të afarensis për nga madhësia e molarëve, por kishin tipare që nuk janë parë më parë tek afarensis apo garhi. Nga ana tjetër, nuk përputheshin as me dhëmbët e gjinisë Homo dhe as me Paranthropus, një tjetër hominin i lashtë i njohur për dhëmbë të mëdhenj dhe muskuj të fuqishëm për përtypje.
“Sigurisht që kemi vetëm dhëmbë,” tha Villmoare, “por po vazhdojmë punën në terren me shpresën se do të gjejmë edhe pjesë të tjera të skeletit që mund të na ndihmojnë për ta përcaktuar më qartë këtë specie.”
Sipas studiuesve, gjetja e dhëmbëve ishte sfiduese, sepse ngjanin me gurë të vegjël të shpërndarë në terren. Ekipi pati ndihmën e banorëve lokalë afaras, të cilët kanë përvojë të gjatë në dallimin e fosileve.
Ky studim konsiderohet i rëndësishëm sepse ndriçon një periudhë ende misterioze – midis 3 dhe 2 milionë vjet më parë – kur depozitat e fosileve në Afrikën Lindore janë të pakta.
Dëshmitë tregojnë se në Depresionin Afar gjinia Homo ka jetuar krah për krah jo vetëm me Paranthropus, por edhe me një specie tjetër të Australopithecus.
Në atë kohë, rajoni Afar kishte stinë të thata dhe të lagështa, lumenj sezonalë dhe mjedise me lagështi e barishte. Pyjet ishin të rralla. Shkencëtarët tani po analizojnë dhëmbët për të kuptuar nëse gjinia Homo dhe Australopithecus kishin të njëjtën dietë apo konkurronin për ushqim. Po ashtu, mbetet pyetja se kush prej tyre ka prodhuar mjetet prej guri të gjetura në këtë zonë.
Për momentin, është e pamundur të dihet saktësisht si kanë bashkëjetuar këta paraardhës të njeriut, por studiuesit shpresojnë që zbulimet e ardhshme të japin më shumë përgjigje. /Përgatiti: Inteligjenca n’3D