Bashkëshortja e Naim Murselit, Liridona Ademaj, ka mbetur e vrarë të mërkurën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Prishtinë. Sot policia ka arrestuar tre persona lidhur me rastin. Një nga të arrestuarit është vetë Naim Murseli. Ai dyshohet se ka paguar një person për ta vrarë gruan e tij.
Liridon Ademi, vëllau i Liridona Murselit, tha për Gazetën Insajderi se çifti nuk kanë pas probleme më herët, teksa konfirmoi se do zhvarrosin trupin e të ndjerës nga fshati i Naim Murselit.
“S’ka pas problem, asnjëherë. Motra jonë ishte e ndershme. Po është e vërtetë do zhvarrosim trupin e saj nga atje me dashje ose pa dashje”, tregoi Ademi për Gazetën Insajderi.
Ai tha se i kanë dhënë dy dit ditë besë familjes Murseli.
“I kemi dhënë dy ditë kohë, edhe shumë e kanë”, tha ai për Insajderin.
Autori që dyshohet se ka kryer vrasjen e ka pranuar në Polici veprën dhe ka thënë se është paguar nga Murseli. Ky i fundit dhe autori i dyshuar janë bashkëfshatar mes vete.
Është arrestuar edhe një person i tretë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Murselit.
Insajderi nga burime të sigurta mësoj se i arrestuari është Kushtrim Kokalla. I njëjti është pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai dyshohet të ketë bashkëpunuar me Naim Murselin, bashkëshortin e Liridonës, dhe Granit Plavën, dorasin, në vrasjen e të ndjerës.
Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar arrestimin e Naim Murselit dhe një personi tjetër lidhur me vrasjen e Liridona Murselit.
Sipas prokurorisë, është sekuestruar edhe arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra.