Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar së fundi një konflikt në Kosovë, duke shpëtuar, sipas tij, shumë jetë.
Duke folur të premten në Shtëpinë e Bardhë, në ceremoninë e “Samitit të Paqes” mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, Trump u rikthye te, siç tha ai, përpjekjet e tij si lider për paqen në botë.
Ai fillimisht përmendi konfliktin mes Indisë dhe Pakistanit, pastaj situatat në Kongo e Ruandë dhe Tajlandë–Kamboxha, për t’u ndalur më pas te Kosova.
“Serbia dhe Kosova. Ndalëm diçka që ishte gati të niste. Nuk na pëlqente aspak dhe shpëtuam shumë jetë,” deklaroi ai.
Muajin e kaluar, më 14 korrik, Trump kishte përmendur Kosovën edhe gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke thënë se kishte ndalur luftën mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e kishte konfirmuar disa ditë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në SHBA. Në një ligjëratë në Universitetin “John Hopkins” në Washington, Osmani tha se Trump ka parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të Serbisë në Kosovë, duke saktësuar se bëhej fjalë për zhvillime të javëve të fundit, jo për ngjarjet e vitit 2023 apo 2020.
Sipas saj, Serbia vazhdon të ndjekë strategji destabilizuese në linjë me politikën e Kremlinit dhe për këtë arsye Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në dhe BE-në për t’i parandaluar këto veprime. Osmani lavdëroi gjithashtu rolin e KFOR-it për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend. /Korrespodenti