Organizatat shqiptaro-amerikane i drejtohen Donald Trump: Mbështesni njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë
Sot, organizata “Albanians for America” (AFA), së bashku me disa nga organizatat më të njohura shqiptaro-amerikane si Vatra, AARC, Jehona e Malësisë, Shoqata Kosova Michigan, Shoqata Malësia e Madhe, Shoqata Dukagjini dhe Shoqata Kastrati, i kanë dërguar një letër të përbashkët ish-presidentit amerikan Donald J. Trump, duke kërkuar mbështetjen e tij për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.
Në letër theksohet se njohja reciproke është e vetmja rrugë e qëndrueshme për paqe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, duke përkrahur gjithashtu apelin dypartiak të kongresisteve amerikane Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan.
“Kosova është një nga vendet më pro-amerikane në botë. Mbështetja për njohje reciproke është hapi përfundimtar drejt një paqeje të qëndrueshme,” thuhet mes tjerash në mesazhin shoqëruar letrës.
Letra u publikua sot nga AFA dhe është bërë e ditur se përmban argumente të qarta për rëndësinë strategjike të njohjes së ndërsjellë dhe rolit që SHBA mund të luajë në këtë proces.