Gjeniu që refuzoi ofertën 1 miliard dollarëshe nga Mark Zuckerberg, CEO i Meta-s

Andrew Tulloch, specialist australian i Inteligjencës Artificiale dhe diplomuar në Universitetin e Sidneit, raportohet se ka refuzuar një ofertë prej 1 miliard dollarësh nga CEO i Meta-s, Mark Zuckerberg.

Tulloch, i cili ka origjinë nga Perth, kaloi mbi një dekadë duke punuar në kompaninë mëmë të Facebook-ut, përpara se të bashkohej me rivalin OpenAI, shkruajnë mediat e huaja.
Në shkurt të këtij viti, ai themeloi së bashku me Mira Muratin, ish-drejtoreshën teknike të OpenAI, start-up-in e tyre të AI-së “Thinking Machines Lab”, i cili tani vlerësohet në 12 miliardë dollarë amerikanë (rreth 18.5 miliardë dollarë australianë).

Sipas “Wall Street Journal”, Zuckerberg tentoi të blejë këtë kompani në fillim të vitit, por oferta u refuzua nga Murati.

Më pas, Meta u përpoq të tërhiqte talentet kryesore të start-up-it, përfshirë Tullochin.

Mësohet se Tulloch ka marrë një ofertë prej 1 miliard dollarësh amerikanë, të shpërndarë në gjashtë vite, me mundësi shtesë bonusesh dhe përfitimesh nga performanca e aksioneve.

Megjithatë, ky ‘gjeni’ nga Perthi e hodhi poshtë këtë ofertë.

Meta më pas e përshkroi shifrën prej 1 miliard dollarësh si “të pasaktë dhe qesharake”.

Tulloch u transferua në SHBA në vitin 2012 dhe punoi për 11 vjet në kompaninë e AI-së së Facebook-ut, ku u ngjit deri në pozicionin e inxhinierit të dalluar.

Një ish-ekzekutiv i Facebook-ut, Mike Vernal, e përshkroi atë si një “gjeni ekstrem”.

Në vitin 2023, ai u bashkua me OpenAI, organizatën pas ChatGPT, përpara se të formonte Thinking Machines Lab me ish-kolegun e tij.

Zuckerberg ka një histori për të tentuar të “rrëmbejë” punonjës të kompanive konkurrente.

Në qershor, kreu i OpenAI, Sam Altman, zbuloi se Meta kishte ofruar bonuse prej 100 milionë dollarësh për stafin e tij, një “përpjekje e dështuar” për të tërhequr talentët.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here