Pranimi i provave të MUP-it serb kundër ish-krerëve të UÇK trondit opinionin: Gjykata Speciale po i legjitimon krimet serbe

Veprimi i Gjykatës Speciale për të pranuar prova nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP) dhe nga Komanda e ashtuquajtur e përbashkët për “Kosovën dhe Metohinë” në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së ka nxiture reagime të shumta në Kosovës.

Pas raportimit të gazetës Nacionale për këtë vendim të Speciales, avokatë, politikanë e njohës të rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se ky është një skandal i radhës i Gjykatës Speciale.

Sipas tyre, një gjë e tyre është fyese për gjithë shqiptarët e Kosovës.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, e quajti “fyese” dhe “të tmerrshme” verimin e Speciales.

Nëpërmjet një reagimi në platformën “X”, Selimi ka shkruar se “Serbia NUK është burim i besueshëm për asnjë “provë”.

“Dhomat e Specializuara sapo kanë aprovuar “prova” të reja të dorëzuara nga shërbimi sekret serb dhe policia serbe në gjyqin kundër themeluesve të UÇK-së. Kjo është jashtëzakonisht fyese dhe e tmerrshme. Serbia NUK është burim i besueshëm për asnjë “provë”.”, ka shkruar ai.

Edhe më i ashpër ka qenë deputeti i PDK-së, Artan Behrami.

Ai ka bërë me dije se një veprim i tillë ka legjitimuar të gjitha krimet e kësaj organizate kriminale ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo gjykatë është shndërruar në institucion të legjitimimit të spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb në Kosovë.

“Gjykata Speciale, përmes pranimit të dëshmive nga MUP-i i Serbisë, ka legjitimuar të gjitha krimet e kësaj organizate kriminale ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë! Nga një institucion i drejtësisë, Gjykata Speciale është shndërruar në institucion të legjitimimit të spastrimit etnik dhe të gjenocidit serb në Kosovë! Prandaj, protestat qytetare nuk duhet të ndalen!”, ka shkruar ai.

Edhe avokati Ardian Bajraktari është shprehur i shqetësuar me këtë veprim të Speciales.

Në profilin e tij në “Facebook”, Bajraktari ka shkruar se një veprim i tillë është i turpshme.

“Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka deponuar “prova” kundër heronjve tanë të luftës dhe paqes. Këto “prova”, mjerisht, po pranohen nga trupi gjykues, athua a i shkon për shtati emërtimi “Gjykata Speciale e Kosovës”… Nëse i falet besimi “provave” të tilla, epilogu dihet, ngritja e zërit dhe ndërhyrja në ndaljen e padrejtësisë, është drejtësi! Turpi ka emër dhe adresë!”, ka shkruar ai.

Shtohen thirrjet për protestën e 7 gushtit
Pas raportimit të Nacionale për këtë veprim të Speciales, janë shtuar thirrjet për mbështetjen e protestës kundër Speciales, e cila është thirrur më 7 gusht nga OVL-UÇK.

Kjo organizatë përmes një reagim ka vlerësuar se kjo është edhe një arsyeje më shumë për të protestuar.

“Edhe një arsye më shumë për të protestuar! Sot, Gjykata Speciale pranoi si prova dokumente të dorëzuara nga institucionet më famëkeqe të aparatit shtetëror serb: Departamenti i Sigurisë Shtetërore të Serbisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë (MUP), Komanda për “Kosovën dhe Metohinë” një strukturë ushtarake dhe policore e krijuar gjatë luftës kundër popullit shqiptar. Ky veprim i papranueshëm i gjykatës i jep besueshmëri një aparati që kreu krime të dokumentuara në Kosovë. Më 7 gusht, në ora 17: 00 protestojmë kundër padrejtësisë! Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së nuk heshtin kur historia provon të rishkruhet nga dokumentet e dhunuesit!”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI ka bërë me dije se ky veprim i Speciales e bënë të domosdoshëm protestën e 7 gushtit.

“Askush nuk mund të gjykohet “në emër të popullit të Kosovës”, kur provat e pranuara në proces gjyqësor vijnë pikërisht nga aparati shtetëror që planifikoi dhe kreu spastrimin etnik kundër po këtij populli. Për më keq, kur në bankën e të akuzuarve janë ata që udhëhoqën çlirimin e Kosovës, duke e larguar përgjithmonë Serbinë nga kjo tokë. Prandaj, protesta e 7 gushtit është e domosdoshme. Jo kundër drejtësisë, por kundër padrejtësive në emër të saj. Mbi të gjitha, për të mbrojtur dinjitetin tonë kolektiv, duke mos heshtur përballë përpjekjeve për rishkrim të historisë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here