Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, zhvilluan një bisedë telefonike dy-orëshe të martën, për herë të parë që nga shtatori i vitit 2022.
Mediat raportojnë se dy liderët diskutuan çështje të ndjeshme si konflikti mes Iranit dhe Izraelit, si dhe luftën në Ukrainë.
Sipas një deklarate të Kremlinit, telefonata u cilësua si “e rëndësishme”, me fokus të veçantë në tensionet bërthamore në Lindjen e Mesme dhe situatën e luftës në Ukrainë. Kremlini njoftoi se presidenti Putin theksoi nevojën për të respektuar të drejtën e Iranit për zhvillimin paqësor të energjisë bërthamore, në përputhje me Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Nga ana tjetër, zyra e presidentit Macron theksoi se presidenti francez kërkoi bashkëpunim të plotë të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), duke nënvizuar se zgjidhja duhet të jetë diplomatike dhe gjithëpërfshirëse, për të trajtuar çështjen bërthamore, programin raketor të Iranit dhe rolin e tij në rajon.
Kjo bisedë vjen në një kohë të tensionuar, pasi Irani ka pezulluar bashkëpunimin me IAEA-n pas sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit mbi objektet bërthamore. Teherani ka mohuar pretendimet për zhvillimin e armëve bërthamore.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Putin përsëriti qëndrimin e tij se konflikti është rezultat i politikave të Perëndimit, të cilat sipas tij “kanë injoruar interesat e sigurisë së Rusisë”. Ai theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të reflektojë “realitetet e reja territoriale”, një referencë ndaj territorit të pushtuar nga Rusia në Ukrainë.
Ndërkohë, presidenti Macron riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Francës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke nënvizuar se vetëm Kievi mund të vendosë për ndonjë kompromis territorial.
Të dy liderët, të cilët përfaqësojnë dy vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shprehën gatishmëri për të vazhduar dialogun mbi të dyja çështjet. Zyra e presidentit francez tha se bisedimet e mëtejshme pritet të zhvillohen në të ardhmen.
Biseda Macron-Putin vjen pas një ndërprerjeje të gjatë të komunikimit mes dy presidentëve, të cilët kishin pasur kontakte të rregullta në fazën e hershme të pushtimit rus të Ukrainës. Macron vizitoi Moskën në shkurt 2022, pak para fillimit të luftës.