Aeroplanët luftarakë të NATO-s u ngritën në ajër gjatë natës në një shfaqje dramatike force, ndërsa Vladimir Putin nisi një breshëri të tmerrshme me më shumë se 500 raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën.
Aleanca hyri në veprim mes frikës se sulmi i shpejtë rus mund të përhapej në vendet fqinje, me Poloninë që konfirmoi se aeroplanët e saj luftarakë ishin nisur dhe mbrojtja e saj ajrore ishte vënë në gatishmëri të plotë.
Sulmi masiv ajror, që përfshinte bombardues strategjikë Tu-95, aeroplanë luftarakë MIG, raketa hipersonike Kinzhal ‘Dagger’, dronë Shahed të projektuar nga Irani dhe raketa balistike Iskander, shkatërroi pjesë të mëdha të Ukrainës dhe shkaktoi një përgjigje të dëshpëruar nga forcat ajrore të Kievit.
Zyrtarët ukrainas thanë se 475 nga 537 raketat ruse, u rrëzuan. Komanda operative e Polonisë konfirmoi se aeroplanët luftarakë të NATO-s u nisën në përgjigje të shkallës së madhe të sulmit rus.
“Për shkak të sulmit nga Federata Ruse që kryen sulme ndaj objekteve të vendosura në territorin e Ukrainës, aviacioni polak dhe aleat ka filluar të operojë në hapësirën tonë ajrore”, thuhej në një deklaratë.
“Komandanti Operacional i [forcave të armatosura] ka aktivizuar të gjitha forcat dhe burimet e disponueshme në dispozicion të tij. Aeroplanët luftarakë në detyrë janë ngritur në ajër dhe sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar, kanë arritur gjendjen më të lartë të gatishmërisë. Hapat e ndërmarrë synojnë të sigurojnë sigurinë në zonat që kufizohen me zonat e kërcënuara”, u tha ndër tjera.
Sulmi ajror në shkallë të plotë, që synonte qytetet nga lindja në perëndim, u përshkrua si një nga valët më të fuqishme të sulmeve ajrore që kur Rusia nisi pushtimin e saj në vitin 2022.