Forcat izraelite kanë hapur zjarr, përfshirë me dronë, ndaj qindra njerëzve që i prisnin kamionët me ndihma në pjesën qendrore të Rripit të Gazës në orët e hershme të mëngjesit të së martës, duke i vrarë të paktën 25 njerëz, sipas dëshmitarëve palestinezë dhe spitaleve.
Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende këtë ngjarje.
Spitali Avda në kampin e refugjatëve Nuseirat – i cili pranoi viktimat – tha se palestinezët po prisnin kamionët në rrugën Salah al-Din, në jug të Gazës.
Dëshmitarët i thanë agjencisë Associated Press se forcat izraelite hapën zjarr derisa njerëzit po lëviznin drejt lindjes për të shkuar më afër kamionëve me ndihma që po vinin drejt tyre.
“Kjo është masakër”, tha Ahmed Halava. Ai tregoi se ushtria izraelite hapi zjarr me tanke dhe dronë mbi njerëz, “madje edhe kur po iknim. Shumë njerëz u martirizuan ose u plagosën”.
Një dëshmitar tjetër, Hossam Abu Shahada, tha se dronët po fluturonin mbi zonë, duke vëzhguar turmën fillimisht, dhe pastaj filluan të shtënat nga tanket dhe dronët teksa njerëzit po lëviznin drejt lindjes.
Ai përshkroi gjendjen si “kaotike dhe të përgjakshme” teksa njerëzit po përpiqeshin të shpëtonin.
Ai tha se pa të paktën tre njerëz të shtrirë në tokë dhe të palëvizshëm, si dhe shumë të tjerë të plagosur, teksa po largohej nga vendngjarja.
Spitali Awda tha se edhe 146 palestinezë të tjerë u plagosën. Mes tyre, 62 ishin në gjendje kritike dhe u transferuan në spitale të tjera në Gazën qendrore.
Në qytetin qendror Deir al-Balah, spitali i Dëshmorëve të Al-Aqsa tha se pranoi trupat e gjashtë njerëzve të vrarë në të njëjtin incident.