Izraeli nën sulme të reja balistike iraniane, raketa godet spitalin në Beer Sheva

Spitali kryesor në jug të Izraelit, Qendra Mjekësore Soroka në Beer Sheva, është goditur nga një raketë iraniane gjatë një vale të re sulmesh balistike. Një zëdhënës i spitalit konfirmoi se sulmi ka shkaktuar dëme të mëdha në disa prej ndërtesave të kompleksit dhe ka lënë dhjetëra persona të plagosur.

Në një deklaratë zyrtare, drejtuesit e spitalit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos paraqiten në ambientet e Sorokës, për shkak të rrezikut nga sulmet e vazhdueshme dhe dëmtimet e shumta në infrastrukturë.

“Spitali ka pësuar dëme të konsiderueshme në disa sektorë të tij. Aktualisht po veprojmë vetëm me kapacitet emergjent,” – thuhet në deklaratën e institucionit.

Zëdhënësja e Qendrës Mjekësore Soroka deklaroi se po vlerësohet shkalla e dëmeve dhe numri i të plagosurve.

Ndërkohë, pas goditjes nga raketa, spitali është evakuuar, pasi dyshohet për një rrjedhje substancash të rrezikshme në katin e sipërm të ndërtesës. Policia ka nisur evakuimin dhe largimin e njerëzve nga zona përreth.

Ministri izraelit i Shëndetësisë, Uriel Buso, e denoncoi sulmin e drejtpërdrejtë të Teheranit ndaj Spitalit Soroka në Be’er Sheva si një kalim të “vijës së kuqe” dhe një krim lufte.

“Një akt terrori dhe kalim i një vije të kuqe. Një krim lufte i kryer qëllimisht nga regjimi iranian kundër civilëve të pafajshëm dhe personelit mjekësor të angazhuar në shpëtimin e jetëve njerëzore,” – deklaroi ministri Buso.

Qendra Mjekësore Soroka, që ndodhet në qytetin Beer Sheva, ofron shërbime shëndetësore për rreth 1 milion banorë të rajonit jugor të Izraelit dhe disponon mbi 1,000 shtretër, sipas faqes së saj zyrtare.

Sulmi i lidhur me tensionet bërthamore

Sipas televizionit shtetëror iranian, sulmi ndaj spitalit dhe zonave të tjera në Izrael erdhi si përgjigje ndaj bombardimit izraelit të reaktorit të ujit të rënduar në Arak, Iran. Autoritetet iraniane deklaruan se nuk ka rrezik rrezatimi nga goditja e reaktorit.

Irani ka lëshuar rreth 20 raketa balistike drejt Izraelit, mes tyre edhe ajo që goditi spitalin Soroka ndërsa dëmtime ka dhe në disa zona të tjera përreth Beer Shevës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here