Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “nuk ka fund problemeve të serbëve të Kosovës, por se Serbia do të triumfojë”. Sipas fjalëve të tij, “Serbia do ta ndihmojë gjithmonë popullin e saj në Kosovë”.
I pyetur për zhvillimet më të fundit në Kosovë, arrestimet e serbëve, Vuçiq ka deklaruar për televizionin publik serb “RTS”, se “beson në një epilog pozitiv”.
“Nuk ka fund për këtë, nuk do të ketë së shpejti, por në fund do të fitojë Serbia. Nuk dua t’ju them çfarë do të thotë kjo, në fund do të fitojë Serbia. Dhe për këtë jam plotësisht i sigurt, duke parë si po ndryshojnë gjërat ngadalë në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë. Njerëzit do ta kuptojnë këtë, nuk do të duhet të rrjedhë gjatë uji nëpër Savë dhe Danub që njerëzit ta vërejnë këtë. Ne, ashtu si deri tani, do ta ndihmojmë “popullin tonë në Kosovë” dhe gjithmonë do të jemi pranë tyre”, ka deklaruar Vuçiqi për konsum të brendshëm serb, pas të gjitha këtyre protestave që po e rrezikojnë seriozisht pushtetin e tij.