Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, deklaroi këtë të hënë nga Vjena se nuk janë konstatuar dëmtime të reja në uzinat bërthamore të Iranit, përkatësisht në qendrat e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordow, pas sulmeve të vazhdueshme ajrore të Izraelit.
Duke raportuar përpara bordit të guvernatorëve të IAEA-s, Grossi nënvizoi se inspektorët ndërkombëtarë janë ende në vend dhe se agjencia do të vazhdojë praninë e saj në Iran.
“Inspektimet e masave mbrojtëse në Iran do të rinisin sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë, në përputhje me detyrimet e Iranit sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, u shpreh ai.
Më herët, Grossi kishte konfirmuar se një nga objektet e goditura ishte uzina pilot e pasurimit mbi tokë në Natanz, e cila pësoi dëmtime të konsiderueshme. Sipas tij, Irani ka raportuar gjithashtu sulme në objektet bërthamore në Fordoë dhe Isfahan.
Pavarësisht dëmtimeve të raportuara në infrastrukturën elektrike në Natanz, Grossi theksoi se “niveli i radioaktivitetit jashtë objektit mbetet normal dhe i pandryshuar”, duke sugjeruar se nuk ka pasur rrjedhje të materialeve bërthamore në mjedis.