Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se forcat ajrore izraelite kishin shkaktuar “dëme serioze” në centralet bërthamore iraniane dhe pretendoi se udhëheqësit iranianë po “po përgatisin valixhet” përballë fushatës ushtarake që po vazhdon.
Në një fjalim televiziv, Netanyahu kërcënoi të përshkallëzonte më tej sulmet, duke i dhënë një paralajmërim të drejtpërdrejtë Teheranit.
“Në një të ardhme shumë të afërt do të shihni averoplanë luftarakë të Forcave Ajrore Izraelite mbi qiellin e Teheranit, ne do të godasim çdo vend dhe çdo objektiv të regjimit të Ajatollahut, dhe ajo që ata kanë ndjerë deri më tani nuk është asgjë në krahasim me atë që do të ndiejnë nën ndikimin e forcave tona në ditët në vijim”, deklaroi ai.
“Unë flas me udhëheqësit botërorë çdo ditë. Dhe ata shprehin, do të thoja, një admirim të jashtëzakonshëm si për vendosmërinë e shtetit të Izraelit ashtu edhe për arritjet e mëdha të luftëtarëve tanë, dhe ka arsye për të qenë vërtet krenarë për ta dhe ju duhet të jeni krenarë edhe për veten tuaj. Ne jemi në një betejë fatale për ekzistencën tonë. Ne do të luftojmë derisa të arrijmë fitoren”, përfundoi Netanyahu.
Menjëherë pas këtij fjalimi, mediat izraelite raportuan se skuadrilje aeroplanësh luftarakë izraelitë ishin ngritur nga bazat e tyre në rrugën drejt Iranit, shkruan euronews.
Ndryshe, fjalimi sfidues vjen mes raporteve kontradiktore në lidhje me shkallën e dëmit.
Zyrtarët ushtarakë izraelitë thanë se sulmet në vendet bërthamore në Natanz dhe Isfahan arritën t’i dëmtonin ato “në mënyrë të konsiderueshme”.
Megjithatë, Irani deklaroi se ndikimi është i kufizuar, ndërsa pranoi ende vdekjen e nëntë ekspertëve në sulme.
Netanyahu e justifikoi operacionin duke pretenduar se nëse Izraeli nuk do të kishte vepruar, Teherani po planifikonte t’u jepte armë bërthamore “të dërguarve të tij terroristë”.
Duke shtuar se operacioni ka “mbështetje të qartë” nga presidenti i SHBA-së Donald Trump, Netanyahu u zotua të vazhdonte sulmet.