Reagime të shumta në Serbi pas vendimit të Gjykatës për ndalimin e simboleve të shtetit serb në festën e Vidovdanit

Kryeministri i Serbisë, Duro Macut, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për ndalimin e simboleve shtetërore të Serbisë në shënimin e festës së Vidovdanit, që mbahet çdo 28 qershor në Gazimestan.

Macut, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Serbisë e ka cilësuar vendimin e themelores se tentim të frikësimit sistematik ndaj popullit serb në Kosovë.

Ai tha se vendimet e tilla janë “pjesë e planit për zhdukjen e identitetit serb në Kosovë”.

“Ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare në Vidovdan, një ditë që ka kuptim të thellë historik dhe shpirtëror për popullin serb, dëshmon për realitetin thellësisht shqetësues në të cilin të drejtat e një komuniteti në zemër të Evropës po shuhen sistematikisht. Sot është e qartë se, megjithëse Bashkimi Evropian dënon lëvizjet e Albin Kurtit, ai po bën gjithçka me mbështetjen e plotë të vendeve perëndimore”, tha Kryeministri.

Macut shtoi se komuniteti serb në Kosovë është ekspozuar ndaj formave të ndryshme të shtypjes për dekada të tëra, të cilat, sipas tij, po marrin gjithnjë e më shumë karakterin e përjashtimit dhe persekutimit të planifikuar – me qëllimin përfundimtar të fshirjes demografike dhe kulturore.

Përpos kryeministrit në Serbi ka pasur reagime pothuajse nga të gjithë akterët politikë.
Milosh Vuçeviq, kryetari i Partisë Progresive Serbe e ka cilësuar vendimin e gjykatës si skandaloz dhe të turpshëm

Ai i bëri thirrje popullit serb në Kosovë që të ruajnë qetësinë dhe që sipas tij të mos bien në provokime.

“Ne kemi ‘armën tonë më të fortë’ – flamurin tonë, të cilin regjimi i Kurtit e ka frikë. Është flamuri i një populli të guximshëm dhe sfidues që gjithmonë do të mbrojë interesat e veta kombëtare dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare. Nuk do të keni sukses ta shfuqizoni Vidovdanin, as nuk do të keni sukses të na i merrni vendet e shenjta”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi të anulojë vendimin e Komunës së Graçanicës për të shfaqur flamurin e shtetit serb dhe simbolin për Vidovdanin, sipas ankesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, por edhe në prag të vetë 28 qershorit.

Gjykata konsideroni se një vendim i tillë i Komunës së Graçanicës shkeli rëndë karakterin unik dhe “kushtetues” të Kosovës, se komuna nuk ka të drejtë të shpallë festa zyrtare jashtë Ligjit për Festat Zyrtare dhe se vendimi mund të shkaktojë tensione ndëretnike – “sidomos nëse perceptohet se autoritetet komunale favorizojnë një komunitet në kundërshtim me rendin juridik dhe ndjenjat e komuniteteve të tjera”.

Gjykata tha gjithashtu se ky vendim duhet të shërbejë si model veprimi, jo vetëm për komunën e paditur, por edhe për të gjitha komunat e tjera në të ardhmen.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here