Të paktën 50 palestinezë u vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të forcave izraelite në Rripin e Gazës, këtë të shtunë. Sipas burimeve palestineze të cituara nga agjencia Anadolu, sulmet ajrore dhe të shtënat me artileri filluan herët në mëngjes, duke përfshirë disa zona të populluara të enklavës.
Skena dramatike u regjistruan në lagjen Sabra të qytetit të Gazës, ku një sulm ajror izraelit goditi një banesë me dy raketa, duke lënë të vdekur të paktën 15 persona, mes tyre gjashtë fëmijë. Më shumë se 50 të plagosur janë raportuar vetëm në këtë sulm, ndërkohë që ekipet e shpëtimit frikësohen se numri i viktimave mund të rritet pasi shumë persona rezultojnë të zhdukur nën rrënoja.
Në perëndim të Khan Younisit, një tjetër bombardim shënjestroi tendat që strehojnë palestinezë të zhvendosur, duke shkaktuar vdekjen e 12 personave, përfshirë katër anëtarë të së njëjtës familje, dhe duke plagosur mbi 40 të tjerë.
Shtatë persona të tjerë humbën jetën nga një tjetër sulm që goditi një shtëpi me të zhvendosur në perëndim të qytetit të Gazës. Në veri të enklavës, në lagjen Al-Saftawi, artileria izraelite vrau dy civilë, ndërsa në kampin e refugjatëve Jabalia, tre persona, përfshirë një fëmijë, mbetën të vrarë nga një tjetër sulm ajror.
Në Rafah, gjashtë palestinezë qëndronin pranë një pike shpërndarjeje ndihmash humanitare u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite. Disa të tjerë mbetën të plagosur.
Sipas të dhënave të mbledhura nga Anadolu, që nga 27 maji janë vrarë të paktën 115 palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 580 të tjerë gjatë përpjekjeve për të marrë ndihmë humanitare. Nëntë persona figurojnë ende të zhdukur.
Vetëm një ditë më parë, në ditën e parë të Kurban Bajramit, 33 palestinezë u raportuan të vrarë nga sulmet në zona të ndryshme të Gazës.
Ky është Bajrami i katërt i përgjakshëm për banorët e Gazës që nga fillimi i ofensivës izraelite në tetor 2023, e cila ka shkaktuar sipas burimeve lokale rreth 54.800 viktima, ka përkeqësuar ndjeshëm krizën humanitare dhe e ka kthyer Rripin e Gazës në një zonë të pabanueshme.