Industria e mbrojtjes ajrore po hyn në një epokë të re teknologjike, ku sistemet pa pilot pritet të zëvendësojnë gradualisht flotat tradicionale të avionëve luftarakë.
Kështu deklaroi CEO i kompanisë turke BAYKAR, Haluk Bayraktar, duke vënë theksin te rritja e rolit të dronëve në luftën moderne.
Aktualisht, në botë ekzistojnë rreth 13 mijë aeroplanë luftarakë me pilot të prodhuar nga vende si SHBA-ja, Rusia, Kina dhe të tjerë. Sipas Bayraktarit, këto platforma janë të destinuara të dalin jashtë përdorimit, pasi teknologjia po lëviz me shpejtësi drejt sistemeve tërësisht autonome.
“Besojmë se në të ardhmen të gjitha këto mjete do të jenë pa pilot. Edhe pse ende nuk ka prova të pakundërshtueshme, drejtimi i zhvillimeve është i qartë”, deklaroi Bayraktar. Ai shtoi se zëvendësimi nuk do të ndodhë domosdoshmërisht në raport 1 me 1, por mund të nevojiten deri në pesë dronë për të zëvendësuar një avion të vetëm luftarak me pilot.
Sipas tij, hapësira ajrore e së ardhmes do të jetë e mbushur me dronë të llojeve të ndryshme – nga ata luftarakë, te dronët FPV e deri te municionet që qëndrojnë pezull në zonën e objektivit. “Për të mbrojtur veten, shtetet duhet të pajisen me këto sisteme, ashtu si prodhojnë plumba për mbrojtje,” u shpreh ai.
BAYKAR, kompania e cila qëndron pas suksesit të dronëve TB2 dhe AKINCI, tashmë prodhon rreth 250 TB2 dhe 50 AKINCI në vit. Sipas Bayraktarit, kapacitetet po rriten me hyrjen në prodhim të TB3 dhe modelit më të avancuar – KIZILELMA.
“Ne nuk e shohim KIZILELMA si një dron mbështetës për avionët me pilot, edhe pse mund të përdoret në atë formë. Ne e mendojmë atë si një mjet plotësisht autonom, që operon i pavarur përmes një sistemi të kontrollit të flotës,” tha ai.
KIZILELMA përshkruhet si një platformë që ofron manovrim agresiv, operim të pavarur dhe që mund të kontrollohet nga një numër i vogël operatorësh. Gjithashtu, ky dron do të integrojë inteligjencë artificiale për të ndihmuar në delegimin e komandave dhe menaxhimin e misioneve komplekse.