Forcat e armatosura ruse akuzojnë Ukrainën se ka tentuar me qëllim të vrasë presidentin rus Vladimir Putin duke rrëzuar helikopterin me të cilin ai zhvilloi një inspektim të martën e kaluar në rajonin e Kurskut.
Sipas dëshmisë së komandantit të divizionit të Mbrojtjes Ajrore të forcave të armatosura ruse në këtë rajon, Yuri Dashkin, i cili foli përpara kamerave të një gazetari rus, Kievi e rriti ndjeshëm intensitetin e sulmit pikërisht në momentin e fluturimit të presidentit, i cili ndodhej në mes të betejës kundërajrore.
“Nga 20 deri më 22 maj – deklaron oficeri i forcave ajrore ruse në një video të shpërndarë nga të gjitha mediat ruse dhe nga RT, media pranë Kremlinit – armiku ka tentuar të godasë në mënyrë të gjithanshme territorin rus me dronë. Në këtë periudhë, mbrojtja ajrore ka shkatërruar 1.177 dronë armike. Pikërisht kur presidenti Putin ndodhej në rajonin e Kurskut, u krye një sulm i paprecedentë me dronë. Mbrojtja ajrore në zonë shkatërroi 46 prej tyre. Theksoj se intensiteti i sulmit gjatë fluturimit të helikopterit të Komandantit të Lartë në territorin e rajonit të Kurskut është rritur ndjeshëm: ishim duke zhvilluar një betejë kundërajrore dhe njëkohësisht mbronim qiejt për helikopterin e presidentit”.
Sipas Dashkin, “detyra u krye me sukses: sulmi me dronë u zmbraps dhe të gjitha objektivat ajrorë u rrëzuan. Helikopteri i presidentit ndodhej në atë moment në qendër të betejës së mbrojtjes ajrore”.
Aktualisht nuk ka reagime zyrtare nga Ukraina, por media të këtij vendi e kanë trajtuar lajmin me ironi: gazeta Telegraf ka analizuar reagimet në rrjete sociale, duke thënë se “as vetë rusët nuk e besojnë këtë përrallë të Kremlinit, duke e portretizuar Putinin me kostumin e Superman-it që përballon fluturimin nëpërmjet dronëve”.
Në të vërtetë, dronët nuk janë mjeti më i përshtatshëm për të rrëzuar një helikopter, dhe akuza e drejtuar Kievit i shërben më shumë propagandës ruse: ajo mbështet versionin sipas të cilit qeveria ukrainase dhe partnerët europianë pretendojnë se duan paqe, por në të vërtetë kërkojnë përshkallëzimin e konfliktit (e njëjta akuzë që propaganda ukrainase ia adreson Kremlinit).
Pretendimi se inteligjenca ukrainase ka arritur të identifikojë fluturimin me presidentin rus në bord, pavarësisht masave të forta të sigurisë për një mision kaq delikat, duhet të jetë shqetësues para së gjithash për vetë drejtuesit rusë. Megjithatë, konteksti në të cilin u zhvillua inspektimi ishte i vështirë: në rajonin e Kurskut, ku ukrainasit kanë nisur një kundërofensivë të dytë javët e fundit pas asaj kryesore të gushtit të kaluar, përleshjet me dronë dhe artileri ndodhin çdo ditë. Ndaj, të gjendesh në mes të një sulmi me dronë nuk është një skenar i pamundur, pavarësisht masave të marra. Por është diçka krejt tjetër të besohet në një sulm të qëllimshëm dhe të vetëdijshëm nga komandot ukrainase.
Hipoteza për një përpjekje për të vrarë presidentin rus – i cili sipas Konventave të Gjenevës do të ishte një objektiv legjitim si Komandant i Lartë i forcave të armatosura të një shteti që më 24 shkurt tre vite më parë pushtoi Ukrainën – është një veprim i vështirë për t’u imagjinuar për shkak të pasojave të rënda që do sillte. Aq më tepër në një moment politik kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka ftuar disa herë Putinin – deri tani pa sukses – në një përballje të drejtpërdrejtë për të zgjidhur konfliktin. Kujtojmë se edhe në maj të dy viteve më parë, Kremlini akuzoi shërbimet sekrete ushtarake të Gur në Kiev për një përpjekje për të vrarë Putinin me një dron. Zëvendës kreu i Gur e pranoi – gjatë një interviste për “Repubblica”, të cituar më pas nga mediat ndërkombëtare – se e konsideron Putinin një objektiv.