Një audio e publikuar së fundi, ku një këshilltar special dëgjohet duke e intervistuar Joe Biden gjatë kohës sa ishte president, konfirmon mungesën e kujtesës që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e kishin konfirmuar atë kohë.
“NBC News” raporton se në këtë audio, ish-presidentit amerikan nuk i kujtohej saktësisht as viti kur vdiq djali i tij i madh, transmeton Nacionale.
Pasi ishte publikuar transkripti gjatë vitit 2023, bashkëpunëtorë të Biden, duke përfshirë zëdhënësin e Shëpisë së Bardhë atë kohë, Ian Sams, kishin insistuar se presidenti nuk ka harruar vitin kur vdiq djali i tij, Beau.
Audio tregon se Biden u përpoq të kujtonte vitin dhe iu desh ndihmë nga avokatët e tij, të cilët ishin të ulur bashkë me të gjatë kohës sa po realizohej intervista.
Incizimet e kësaj interviste janë publikuar fillimisht nga Axios.
Audio e intervistës së Biden me këshilltarin special, Robert Hur me shumë gjasë do të shkaktojë debat mes demokratëve dhe të tjerëve rreth asaj se a ka pasur një përpjekje për ta mbuluar kapacitetin mendor të presidentit, si dhe nëse kjo ndikoi në rënien e partisë në sondazhe gjatë vitit 2024.
Biden u ul për më shumë se pesë orë në intervista për dy ditë në tetor të vitit 2023, si pjesë e hetimit të Hur për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara nga Biden në shtëpinë dhe zyrën e tij që nga koha e tij si zëvendëspresident.
Hur më vonë citoi intervista në të cilat ai e përshkroi Biden si një “njeri të moshuar me kujtesë të dobët” në raportin e tij përfundimtar në fund të hetimit të tij.
Atë kohë, Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland kishte publikuar transkriptin e intervistave të Biden, por jo edhe audion. Ai kishte thënë se kjo mbulohej nga privilegji ekzekutiv dhe se Shtëpia e Bardhë nuk dëshironte që e njëjta të publikohej.
Disa mediume dorëzuan padi duke kërkuar që t’u jepen incizimet e intervistave të Biden, por kjo çështje nuk u zgjidh deri kur ai u largua nga zyra.